Trajneri i Teutës, Gugash Magani, në deklaratën pas ndeshjes me Luftëtarin, e pranoi se gjirokastritët e merituan fitoren e marrë ndaj durrsakëve duke ia vendosur fajin kryesor euforisë që ekzistonte në ekipin e tij pas disa rezultateve pozitive.“E kam thënë që pjesa psikologjike është determinante në futboll. Ne vinim pas disa rezultateve pozitive dhe nuk po e kuptonim edhe gjatë këtyre ditëve që ndaj Luftëtarit, një rival direkt, duhej të tregonim më shumë vlerësim.
Në momentin që e merr lehtë ndëshkohesh, siç e pësuam sot, dhe është e merituar. Nuk kontrolluam as lojën dhe as topin.Kishim disekuilibër dhe nuk patëm qetësi për të menaxhuar mirë ndeshjen.”“Ky është futbolli, ka tre rezultate brenda. Ndodh që të humbësh pas një momenti shumë të mirë dhe Luftëtari e meritoi, sepse vrapoi më shumë. Mendoj se fituan sepse nuk patën presionin që kishim ne. Ata vinin pas dy-tre ndeshjeve jo të mira, ndërkohë që ne kishim euforinë e ndeshjes së barazuar ndaj Skënderbeut”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Teutës, Gugash Magani.