Shorti i gjysmëfinales ka rezervuar një kundërshtar të fortë për Teutën. Një gjë të tillë e pranon edhe vetë Gugash Magani. Gjatë një deklarate trajneri e pranon që do të jetë e vështirë, por gjithsesi i gjen edhe anën e mirë të medaljes këtij rivali. Sipas peqinasit, më mirë që u ranë korçarët, pasi ndeshja e parë që luhet në Korçë do të jetë pa tifozë (pas dënimit që dha Disiplina për bardhekuqtë).
“Shorti na vendos përballë ekipit më të fortë. Nuk kisha preferenca të them të drejtën, nuk ka ekipe të lehta në këtë fazë, të tri ekipet kanë synime të qarta, ashtu si edhe ne. Skënderbeu, Tirana apo dhe Besëlidhja që ka eliminuar dy ekipe të Superligës, nuk kanë mbërritur më kot deri më këtu.Mundësitë janë 50 me 50 për secilin, por nuk na mbetet gjë tjetër veçse të shfrytëzojmë faktin që Skënderbeu në takimin e parë do të jetë pa tifozë në shtëpi. Ne do të përgatitemi që të luajmë mundësitë tona. Kam besim te skuadra që do të japë më të mirën e vet”, ka mbyllur trajneri peqinas komentin e tij rreth shortit të Kupës së Shqipërisë.
Sakaq, seanca stërvitore e ditës së djeshme ka qenë e lehtë dhe më shumë e fokusuar te pasimet në zona të ngushta. Më pas skuadra është ndarë ne dy ekipe ku kanë zhvilluar ndeshje në mungesë të portierit Kastrati, i cili është i grumbulluar me ekipin Kombëtar, dorezat i ka veshur Kapllani. Edhe pse vitet kanë kaluar, ai përsëri i ka reflekset duke bërë paraqitje të mirë.