Nëse një vit më parë, nisja e keqe e sezonit bëri që Teuta të luftonte për mbijetesën, trajneri Magani ka kërkuar të tjera objektiva për këtë sezon. Klubi durrsak i është në Ohër për të vijuar fazën përgatitore dhe për t’u bërë gati për nisjen e sezonit të ri, ku së bashku me skuadrën ka udhëtuar edhe Tarik Cmajcanin. Tekniku i “Djemve të Detit” ua ka bërë me dije edhe vetë futbollistëve që ka në dispozicion se ky vit do të jetë krejtësisht ndryshe dhe se do të tentohen jo vetëm Kupat e Europës, por edhe fitimi i një trofeu.Magani është optimist se me skuadrën që është ndërtuar, do të bëhet e mundur që të mund të tentohen vendet e sipërme të tabelës së klasifikimit. “Kemi krijuar një grup, i cili do të tregojë forcën në startin e kampionatit. Është e rëndësishme që të kemi një start pozitiv.Dy vjet më parë, të gjithë ishin skeptikë për një skuadër të re në moshë, por që arriti të shkonte në Kupat e Europës. Janë larguar shumë futbollistë, por që kemi afruar disa të tjerë që ndërthurin rininë me eksperiencën”, ka deklaruar fillimisht tekniku peqinas në fazën përgatitore në Ohër.

Sa i përket merkatos, numri një i stafit teknik të Teutës ka bërë me dije që është në kërkim të një futbollisti që e njeh kampionatin dhe me eksperiencë për t’ia shtuar organikës. “Si çdo trajner që pret lojtarë gjatë merkatos, edhe unë e pres një të tillë. Kemi larguar Haxhibuliç, një lojtar i ri që mund të bëjë karrierë, por neve na duhet një futbollist me eksperiencë.Sot vjen dhe Latifi. Sa u përket afrimeve, di të them që do të rrinë në stol ata lojtarë që nuk e meritojnë të jenë në fushë dhe nuk do të nisem aspak nga emri i tyre apo edhe fakti që mund të jenë lojtarë të afruar rishtaz”, ka vijuar trajneri.Teuta do tentojë që të lërë pas edicionin e shkuar ku si objektiv i vetëm ishte sigurimi i mbijetesës. Sipas Maganit, skuadra e tij do tentojë që të realizojë një sezon me objektiva madhorë, pse jo edhe duke kërkuar trofe. “Këtë sezon do të luftojmë për trofe dhe jo vetëm për një vend në Europë. Me skuadrën që kemi, kam siguri që do të bëjmë gjëra të bukura”, ka përfunduar Gugash Magani.