Sezonin e kaluar në kampionat Teuta nuk mundi të sigurojë dot një vend në Europë, shkak dhe e një nisje të dobët, me Maganin që mori detyrën vetëm në fund të tetorit. Këtë vit trajneri është në krye që në fillim të sezonit dhe nga Ohri ku skuadra është grumbulluar për fillimin e sezonit të ri, objektivi është i qartë, të ngjisë Teutën drejt Europës.“Unë kam drejtuar dhe më parë Teutën, dhe në rastet e mëparshme kemi mundur të kualifikohemi në Europë. Të njëjtën gjë do të kërkojmë të bëjmë dhe këtë sezon. Objektivi ynë është i qartë të jemi mes skuadrave që do të kualifikohen në kompeticionet europiane. Nuk do të jetë e lehtë sepse rivalët janë përforcuar gjithashtu ndaj ne duhet ta fitojmë këtë vend në fushën e lojës.”Magani ka analizuar me detaje dhe të gjithë afrimet e reja në ekip, duke nisur nga Mocka, Lena, të rinjtë si Bilali por dhe afrikët e ardhur së fundmi te durrsakët ndërsa shpalli dhe kapitenin e tij të ri.
“Moçka ka qenë dhe më parë pjesë e ekipit, mbaroi kontratën dhe rinovoi përsëri. Lenën e njoh mirë sepse e kam drejtuar dhe te Flamurtari dhe është lojtar me personalitet dhe për këtë arsye i kam dhënë shiritin e kapitenit. Kemi marrë nga Elbasani një futbollist të ri shumë cilësor si Bilali që besoj se ka shumë të ardhme ndërsa afrikanët kanë ende probleme fizike, pasi nuk janë në formën e duhur fizike por deri në fillimin e sezonit do të përshateten dhe jam i sigurtë se do të jenë në formë optimale për fillimin e kampionatit.”Një Teutë me qëllime të qarta, me Maganin që në fund të kampionatit shpreson t’i gëzohet objektivave të rëndësishëm.





