Teuta ka marrë një pikë të çmuar në “Loro Boriçi”, në javën e 26-të të Superiores. Nuk kanë munguar polemikat me arbitrimin, ndërkohë që një lojtar i “djemve të detit” ka dalë jashtë fushe me karton të kuq. Fjala është për Gerhard Prognin, i cili, bashkë me trajnerin kanë vlerësuar rezultatin në transfertën shkodrane. Gugash Magani do të nënvizonte:“Vinim nga një humbje shokuese. Kishim një farë ngërçi dhe u futëm në fushë për të bërë më të mirë. Minutat e para dhe pjesa e parë nuk ishte në nivelin e duhur. Në pjesën e dytë luajtëm të gjithë mirë, sidomos pas daljes me të kuqe të Prognit. Mendoj se është një pikë e merituar. Marrë një nga skuadrat më të mira, edhe pse në renditje nuk janë mirë. Ndryshimet? Mungonte Hila, i cili luan para mbrojtes dhe futëm Sykajn. Ndërsa për portierin është politika jonë që të ketë rotacion”.
Nga ana tjetër, Gerhard Progni shtoi: “Kur e mora kartonin e verdhë, i thashë arbitrit se mund të pyesim kundërshtarin. Mund ta shihni dorën, edhe kartonin e parë për vonesa e mora, në mënyrë të padrejtë. Në gjithë karrierën time nuk kam bërë ndonjë simulim, por nuk e kuptoj sjelljen e këtyre arbitrave. Unë mendoj se kishte kontakt. Personalisht e ndiej se ke më pak presion kur lufton për mbijetesë sesa për titullin kampion”.