Teuta ka vijuar edhe dje përgatitjet për ndeshjen me Partizanin, që do të luhet nesër në “Niko Dovana”. Gjatë stërvitjes, tekniku Gugash Magani, së bashku me dy kolegët e tij, Kapllani dhe Dervishi, kanë vënë në zbatim një sërë ushtrimesh, kryesisht në qarkullimin dhe kontrollin e topit. Në pjesën e fundit të përgatitjeve të djeshme, trajneri Magani e ndau grupin në dy ekipe, duke praktikuar një minindeshje kontrolli, nga ku u hodhën edhe piketa e formacionit anti-Partizan. Nga ajo që u pa në këtë test duket se trajneri ka planifikuar një Teutë me dy sulmues të deklaruar. Pra, pritet që Xhonatan dhe Artur Magani ta nisin nga fillimi duelin ndaj të kuqve të kryeqytetit, ndërsa Lamçja mendohet se do të jetë në stol. Filozofia e Maganit është që grupi fitues nuk ndërrohet dhe për këtë arsye ai do të hedhë në fushë pothuajse të njëjtin formacion, ndryshimi i vetëm mbetet porta, ku Moçka do të zërë vendin e Rizvanit. Ndërsa mbrojtja pritet t’i besohet katërshes Lukiç, Shkalla, Hoxha dhe Kotobelli. Në mes të fushës, stafi teknik ka më shumë mundësi përzgjedhjeje, por Lena, Dita, Hila dhe Çyrbja mendohet se do të jenë titullarë ndaj Partizanit. Por disa herë trajneri ka provuar edhe Kadriun me Mustën në krah duke u zënë vendin Lenës dhe Çyrbes.
Gjatë stërvitjes, Magani u ka kërkuar lojtarëve të tij që të luajnë thjesht dhe mos ta komplikojnë lojën. Madje, kur lojtarët e projektuar si titullarë nuk zbatojnë si duhet udhëzimet, ai i ndërron me ato të formacionit të dytë dhe u përsërit disa herë skemën, derisa ata ta zbatojnë siç duhet. Një punë e madhe është bërë edhe me dy mbrojtësit e krahëve, Lukiç dhe Kotobelli, nga të cilët kërkohet saktësi në krosime, por edhe shpejtësi në dalje, duke e nxjerrë ekipin shpejt në kundërsulm. Prej disa ditësh, me ekipin e parë po stërviten edhe 3 lojtarë të skuadrave të moshave. Stafi kërkon që t’i afrojë që tani këta të rinj, që të ambientohen me grupin dhe pse jo të bëhen gati për skuadrën e parë. Për këtë takim të nesërm trajneri Magani nuk do të ketë në dispozicion mesfushorin Bledar Hodo, i cili është i dëmtuar në kavilje.