DURRES, 9 maj 2013– Teuta është përqendruar tek Europa, ndonëse kampionati ende nuk është mbyllur. Gugash Magani po punon për të përgatitur skuadrën e duhur me të cilën do të prezantohen në Europa Ligë. Fakti që skuadra ka bërë një paraqitje të mirë gjatë këtij sezoni, bën që trajneri të nxjerrë konkluzionet e tij. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, ai thotë se grupi nuk ka nevojë për përforcime të mëdha.

“Ne po vazhdojmë punën me të njëjtat ritme sikurse edhe javë më parë. Fakti që skuadra arriti të presë një biletë për në Europë, ka bërë që tashmë vëmendja jonë të përqendrohet pikërisht te ky eveniment. Na duhet të ndërtojmë një skuadër efikase, e cila t’i përgjigjet kundërshtarit që do të ketë përballë. Me elementet që kam në dispozicion, them se mund të bëjmë një paraqitje dinjitoze në këtë kompeticion, ku si objektiv kryesor kemi kalimin e një turi. Sigurisht që duhet një skuadër mjaft e fortë, por në të njëjtën kohë edhe e motivuar dhe që të ketë dëshirë për të fituar. Nuk është se kemi shumë nevojë për përforcime dhe për ndryshime në skuadër, megjithatë deri atëherë besoj se mund të kemi afruar edhe ndonjë element cilësor që do të na ndihmonte në Europë. Sa i përket afrimeve do të flasim në fund të kampionatit, ku do të bëjmë edhe analizën përfundimtare për të vënë në dukje punën e gjithkujt. Momentalisht jemi të përqendruar te formimi i një skuadre të denjë për këtë kompeticion”, – u shpreh Magani.
 

Ndeshja – Teuta sot do të udhëtojë drejt Beratit për t’u përballur me vendësit e Tomorit në ndeshjen përmbyllëse të sezonit 2012-2013.

“Pa diskutim që në Berat, sikurse kemi bërë dhe në transfertat e tjera, do të shkojmë për të fituar. Pavarësisht se skuadra ka arritur objektivin që kishte për këtë sezon, ajo është ende e etur për të marrë pikë. Dua që niveli i skuadrës të rritet dita-ditës, sepse po u demotivua do të na duhet kohë për ta ringritur. Do të hedh në fushë të njëjtin grup si ndaj Laçit. Kur një skuadër fiton, atëherë nuk e shikoj të arsyeshme të bëj ndryshime”, – përfundoi Magani.

 

 

Muxhaji kërkon një fitore për prestigj ndaj durrsakëve

Tomori ka vijuar me përgatitjet për ndeshjen me Teutën. Ky është takimi i fundit i kampionatit, por njëherësh edhe i fundit për beratasit në Kategorinë Superiore. Për skuadrën, kjo është një mundësi e mirë për ta mbyllur me dinjitet këtë edicion, i cili shkoi si shkoi. Në një prononcim dhënë për gazetën “Panorama Sport”, trajneri Madrid Muxhaji u shpreh i bindur për marrjen e tri pikëve.

Ai është i vetëdijshëm që ky rezultat nuk do të kthente mbrapsht asgjë, mirëpo më së shumti do të vlente për moral.

“Ky është takimi i fundit i Tomorit në Kategorinë Superiore. Do të luajmë ndaj Teutës, e cila po kalon një formë të mirë dhe ndaj meriton respektin maksimal prej nesh. I kam motivuar djemtë për të fituar dhe për ta mbyllur me kokën lart këtë edicion. Është një mundësi e mirë për ekipin që të reflektojë pas humbjes së pësuar në Peqin vetëm një javë më parë. Ky takim më rindez kujtimet e viteve kur unë luaja me Tomorin. Ishin vitet e arta të ekipit tonë, kur së bashku me Teutën vendosnim diktatin e Kategorisë Superiore”, – përfundoi trajneri, duke u shfaqur nostalgjik. 

Ndërkaq, mesfushori Laert Bejko flet përballë kësaj sfide. Ai është durrsak, ndaj dhe do të ketë emocione të veçanta.

“Ndeshja me Teutën është e veçantë për mua, pasi do të kem përballë ekipin e vendlindjes sime. Tomori ka dalë nga objektivat e këtij sezoni, por ne do të luajmë për ta mbyllur sa më denjësisht këtë sezon. Shpresoj që vitin tjetër të jem pjesë e Tomorit dhe ekipi të jetë pretendent për t’u rikthyer në elitë”, – tha Bejko.

/PanoramaSport/