Pasime të shpejta, kontroll topi, si dhe goditje standarde, kjo ka qenë tabloja e seancës së fundit stërvitore e Teutës. Gugash Magani “shtrydh” ekipin. Edhe pse kampionati është në pauzë, përgatitjet në radhët e skuadrës durrsake kanë vijuar edhe dje. Në mungesë të një miqësoreje, stafi teknik ka menduar që të zhvillojë një minindeshje brenda llojit. Kjo lojë i ka shërbyer për të provuar lojtarët dhe për të parë gjendjen e tyre. Peqinasi ka insistuar te pasimet e shpejta dhe saktësia në shërbim, jo vetëm kaq, por pret që të mos humben topa kur ekipi është në rrezik.
Stafi teknik kërkon kujdes maksimal në këtë drejtim, ndaj paralajmëroi skuadrën që kur ka situata të sikletshme në mbrojtje, duhet që sfera të largohet sa më shpejt nga gjysmëfusha.Edhe pse ka ditë mjaftueshëm në dispozicion për ndeshjen e radhës (që luhet më 1 prill), Magani pret prej të tijve angazhim maksimum në stërvitje. Kërkues nuk është treguar vetëm trajneri, por edhe ndihmësi i tij. Ndeshja me Laçin është si finale për durrsakët, ndaj po përgatitet gjithçka që në fushë të merret maksimumi i pikëve.
Mbetet për t’u parë nëse Ardit Hila do të jetë 100% i gatshëm kundër Laçit. Ai është rikuperuar, megjithatë nëse do ta nisë apo jo nga minuta e parë vendimi i mbetet stafit teknik dhe atij mjekësor. Në të kundërt, do t’ia lërë vendin shkodranit Arsen Sykaj. Sakaq, pezullimi i Gerhard Prognit bën që në krah të djathtë të luajë Arbër Çyrbja. Shpresohet vetëm që kjo javë të mos sjellë surpriza të pakëndshme dëmtimesh, kur dihet që infermieria është boshatisur.