Ndeshje të vështira por dhe finale janë cilësuar ndeshjet e ardhshme të Teutës nga trajneri Magani, e tillë është ajo me Partizanin por të tilla janë të gjitha ndeshjet e mbetura për durrsakët. Ndoshta para se të niste sezoni nuk ishte menduar se situata do të vinte kështu, por ja që durrsakët janë në pozita mjaft të favorshme dhe luftojnë për një vend në kupat e Europës. Aktualisht Teuta është me pikë të barabarta me Kukësin si dhe 4 pikë para ekipit të Tiranës, dhe java që vjen vë përballë Teutës ekipin e Partizanit në një nga ndeshjet më të vështira për durrsakët.
Sipas Maganit, fitorja me Laçin është e rëndësishme sepse i afron durrsakët fare pranë Evropës: “Fitore shumë e rëndësishme, që na ndihmon shumë për të arritur objektivin. U duk e lehtë, por në fund kemi vuajtur shumë dhe Laçi për pak na barazoi. Të fitosh në Lac është tepër pozitive për ne. Kemi marrë shumë pikë në dy fazat e para jashtë fushës sonë por në 2016 shkalla e përgjegjësisë është shumë e madhe. Jemi mundur ndaj Flamurtarit dhe Skënderbeut në trasfertë. Në modulin 4-4-2 kemi qenë efikas. Luajta me 2 sulmues edhe për faktin se na duhej fitorja me çdo kusht. U gëzova për të dy lojtarët që shënuan, edhe për Xhonatan që është pjesë e rëndësishme e jona por edhe për Maganin që kishte kohë pa shënuar.”
Sipas Maganit, tani e tutje çdo ndeshje duhet të klasifikohet si një finale: “Tani duhet ta luajmë çdo ndeshje si finale dhe përgjegjësia është e madhe, sepse na kërkohet kualifikimi në kupat e Europës. Dihet që ndeshja me Partizanin do të jetë e vështirë ashtu si çdo ndeshje tjetër dhe ne duhet të tregojmë në fushën e lojës forcën tonë dhe jo me deklarata. Deri më tani kemi treguar se jemi një ekip që mendon vetëm për kundërshtarin e radhës, të cilin e respektojmë njësoj, qoftë në krye të tabelës së klasifikimit, apo në fund të saj. Ne futemi në fushë për tri pikë në çdo përballje. Gjatë kësaj periudhe, nuk na ka interesuar ecuria e ekipeve para nesh apo dhe atyre që na ndjekin. Deri në fund janë të gjitha finale që duhen fituar, në mënyrë që të arrijmë ato objektiva që i kemi vendosur vetes dhe skuadrës. Jam njeri që qëndroj me këmbë në tokë dhe kërkues për sa i përket ecurisë apo stërvitjes dhe kjo na shërben shumë. Në skuadër me të vërtetë kemi lojtarë të rinj, por vetëm në moshë, pasi kanë luajtur shumë minuta dhe kanë fituar pjekuri. Thjesht duhet të tregojnë atë që dinë të bëjnë në fushën e lojës dhe jo të kalojnë në eufori, edhe pse kjo gjë nuk ka ndodhur.”