Teuta ka marrë fitoren e dytë në dy ndeshja të luajtura dhe aq më tepër suksesi në Shkodër ndaj Vllaznisë, e lançon skuadrën durrsake si pretendente për vendet e para. Edhe trajneri Gugash Magani nuk i fsheh aspak synimet që ka në këtë sezon me skuadrën e Teutës. Trajneri deklaroi se synon që të marrë trofe në këtë edicion, por njëkohësisht u ka kërkuar lojtarëve që të jenë të matur me deklaratat që lëshojnë dhe mos dalin në rrjetet sociale me euforizëm.

Në fakt, vitet e fundit Teuta është quajtur “nëndetësja”, duke i vjedhur këtë epitet ekipit të Dinamos: ““Po t’i referohemi rezultatit teknik, jam i kënaqur me tri pikët. Po të thosha të kundërtën do bëja gabim. Morëm tri pikë në Shkodër, ku ka një ekip më të mirë se vjet, morëm tri pikë po nuk shkëlqyem. Bëmë lojë me faza, pati momente që luajtëm mirë, por edhe ku mund të ishim ndëshkuar, para se të shënonim. Pasi shënuam patëm shumë balanca dhe ekuilibra, fituam tri pikë të rëndësishme për momentin.

Pas mbarimit të ndeshjes, fola me lojtarët u thashë ‘siç i morëm pikët, mund t’i lëmë’. Nga ky moment i thashë nuk dua asnjë lloj deklarate, se futbolli i tillë është, duhet të rrish me këmbë në tokë. Futbolli në çdo moment mund të të ndëshkojë. Ka shumë ndeshje deri në fund, nëse do të thosha që kemi objektiva konkret, që janë Kupat e Europës, ta shohim nëse i arrijmë. Përveç investimit, është afruar edhe tifozllëku, ka ardhur momenti që si trajner më duhet një trofe. Dua të bëj punën time, por objektivi nuk është vetëm vendi i pestë, të bëjmë një kampionat shumë të mirë dhe, pse jo, edhe me një trofe. Nuk po them që media e ka fryer objektivin tonë, por edhe të na bëjnë pretendentë për fitimin e trofeve, nuk është e saktë. Edhe kur del ndonjë lojtar që flet në Facebook, nuk i kam qejf. Dua të jemi në këmbë në tokë, kjo është filozofia ime e punës”, është shprehur Magani.