29 tetor 2015 – Vendi i katërt në renditje, 14 pikë në tetë ndeshje, janë bilanci i Teutës së këtij sezoni. Pritshmëritë për skuadrën që me vështirësi siguroi mbijetesën mund të konsiderohen të tejkaluara, por për trajnerin Magani rezultatet dhe lojërat e zhvilluara nuk janë të rastësishme.

Trajneri Magani shkaktonte debate me një deklaratë të bërë gati një vit më parë, teksa drejtonte Tiranën, pas një humbjeje të pësuar në Laç. Asaj deklarate, koha dhe puna me Teutën duket se po i japin të drejtë. Teuta do të ketë një provë të vështirë këtë fundjavë, pasi do të presin në shtëpi kryesuesit e Partizanit, një skuadër dhe një trajner kundërshtar për të cilët Magani ka vlerësimin maksimal.

Pavarësisht vlerësimit për kundërshtarin, Magani insiston se skuadra e tij luan vetëm për fitore. Një motiv më shumë për suksesin në këtë ndeshje pritet të jenë edhe tifozët durrsakë, që të dielën në orën 17:00 pritet të jenë të shumtë në stadiumin “Niko Dovana” në mbështetje të skuadrës së tyre.

/portali DurresLajm/