Trajneri i Teutës, Gugash Magani, u shpreh i kënaqur me fitoren 2-0 kundër Laçit. Edhe pse ka rezerva për lojën, tekniku i durrsakëve i cilësoi jetike pikët në këtë fazë të kampionatit. Sipas tij, rruga drejt Kupave të Europës është e vështirë përmes kampionatit, por u zotua se skuadra do të synojë të marrë më të mirën kundër Skënderbeut në Kupën e Shqipërisë:
“Ishte një ndeshje shumë delikate dhe e vështirë përballë një kundërshtari që ka marrë shumë pikë në 2017-n. Donim të ishim pragmatistë duke marrë maksimumin nga goditjet standarde. Nuk jam i kënaqur me lojën, por më ngroh fitorja. Në fillimet e mia me Teutën pata probleme, por në 2017-n kemi pasur ecuri pozitive duke marrë 15 pikë, kurse Tirana vetëm 4 në 10 ndeshjet e fundit. Nuk e kam qëllim të parakaloj Tiranën, por vetëm të sigurojmë mbijetesën. Do të jetë e vështirë, pasi janë edhe shumë pikë në lojë. Jemi disa skuadra që kemi të njëjtin synim dhe lufta është e ashpër. Çdo ndeshje është e vështirë, pasi të gjithë kanë nevojë për pikë.
Në këto momente pikët janë oksigjen për ne dhe për të tjerat që janë keq në renditje. Kemi edhe Kupën, ku do të synojmë të marrim diçka edhe aty. Sot mungoi Progni, Hila dhe Cmajcanin, tri mungesa të rëndësishme për një skuadër si ne. Sot luajtëm me një mesfushë të bërë nga e para për shkak të mungesave. Edhe Sykaj, megjithëse ka luajtur dy ndeshje si titullar, nuk është në njëqind për qind të formës. Futbolli është i paparashikueshëm, të jep fryte kur je i përqendruar dhe të ndëshkon kur e humbet fokusin. Ndaj Skënderbeut në Kupë do guxojmë të luajmë si të barabartë, pastaj kualifikimin do ta vendosë fusha e lojës. Përmes kampionatit mendoj se është e vështirë ta kapim Europën, pasi kalendari nuk na favorizon aspak”.