Një magazinë e mbushur plot me drogë është zbuluar mesditën e kësaj të shtune në fshatin Pagri në Përmet. Policia e Shtetit në bashkëpunim me Sh.Ç.B.A, zhvilluan prej disa orësh një operacion të madh antidrogë në këtë zonë dhe pas përfundimit të peshimit të kanabisit të sekuestruar, rezultoi se ishte rreth 12 tonë.
Në operacion moren pjesë Antidroga, Forca e Posaçme Operacionale, Drejtoria e Policisë Gjirokastër, Sh.Ç.B.A dhe Policia e Përmetit.
Në përfundim të veprimeve të para të kryera në vendngjarje u bë ndalimi i shtetasëve:
Rustem Muçelli, 51 vjeç, banues në fshatin Pagri.
Eqerem Ali, 60 vjeç, banues në fshatin Pagri.
Si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit:
Ismail Saliu, 61 vjeç, banues në fshatin Pagri – Përmet.
Ndalimi i këtyre shtetasve si dhe shpallja në kërkim e shtetasit tjetër u bë për arsye se këta shtetas nga provat e grumbulluara rezulton se i kishin në përdorim depot për të magazinuar ushqim për bagëtitë e tyre.
Gjithashtu në vijim të veprimeve është bërë ndalimi edhe i kryeplakut të fshatit Pagri , shtetasit: Koço Zaimaj , 58 vjeç, kryeplak i fshatit Pagri. Ndalimi këtij shtetasi u bë pasi ky shtetas është me detyrë kryetar i fshatit Pagri dhe nuk ka kryer detyrat funksionale në lidhje me ngjarjen e mësipërme.





