Në vorbullën e së përditshmes ku emra të njëjtë thuajse të imponohen në tryeza debatesh dhe emisione televizive, duke fituar në jo pak raste një hapësirë publike që shpesh nuk e meritojnë, specialistët e vërtetë qëndrojnë në heshtje. Vijojnë punën e tyre duke dhënë kontribut të heshtur, po me ndikim të dukshëm në fushën ku veprojnë.

Janë të qetë, modestë dhe në mjedise të përbashkëta social-kulturore, aty ku vlerat e antivlerat bëhen bashkë nis t’i vlerësosh, t’i shohësh në dritën reale, bazuar dhe në krahasimin me të tjerë personazhe që të veshur nga të bërit shpejt para ndjehen pjesë e asaj që rëndom ato vetë kanë nisur ta quajnë shtresë e lartë (?!), tentojnë të promovojnë si vlerë pasurinë, aftësinë e të qenit i suksesshëm në botën e biznesit, parasë dhe blerjeve përmes saj. Magdalena Cara është një grua për t’u admiruar për përkushtimin dhe kompetencën profesionale, mirësinë dhe kujdesin që transmeton teksa e njeh më nga afër. Në këtë vit jubilar, ajo, së bashku me 9 gra të tjera, u nderua me titullin “Nderi i Punës” në Durrës, një vlerësim mëse i merituar. 

Ishte viti 1983, kur rezultatet e larta në vitet e shkollës së mesme dhe provimet e maturës do të diktonin, ashtu si shumë të tjerëve, natyrën e studimeve dhe të ardhmen profesionale. Ndonëse një zgjedhje e diktuar nga sistemi i atëhershëm i vlerësimit të kapacitetit nxënës dhe orientimit profesional, Prof.Assoc.Dr. Magdalena Cara ndjehet e plotësuar profesionalisht. Sot, nuk ka asnjë profesion të ëndërruar dhe dëshiruar prej saj që të jetë i ndryshëm nga ai i kimistes dhe pedagoges.

Jeta ka rrjedhur me shpejtësi në shinat e saj, jo pa vështirësi, por ajo i është mirënjohëse të drejtës së studimeve në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, pasi përveç profesionit aty njohu dhe njeriun që disa kohë më pas do të bëhej shoku i jetës, bashkëshorti dhe babai i dy fëmijëve të saj, Agustin Carën.

Ata që e njohin Magdalenën, apo Magdën siç e thërrasin shkurt, vlerësojnë tek ajo shoqërinë që ofron, çiltërsinë, seriozitetin në punë, ambicien e ekuilibruar, ose më saktë të miradministruar si dhe këmbënguljen, vullnetin për të arritur synimet. Ajo e ndan profesionin mes Laboratorit të Mbrojtjes së Bimëve në Durrës dhe auditoreve të Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit. Laboratori është pjesë e punës kërkimore – shkencore në kuadrin e projekteve kombëtare dhe ndërkombëtare. Në universitet, Magda është pedagoge në studimet Master Shkencor dhe Profesional, si dhe në Shkollën e Doktoraturës në Fakultetin e Bujqësisë dhe Mjedisit, departamentin e Mbrojtjes se Bimëve.  

Cila është rruga që përshkuat për t’u bërë kimiste? Ishte një zgjedhje e diktuar nga prindërit, ndikim i rrethit familjar apo zgjedhje e juaja?

Shkencat natyrore më kanë pëlqyer gjithmonë, po të ndjek Fakultetin e Shkencave Natyrore në degën Kimi Industriale nuk ka qenë as zgjedhja ime dhe as e prindërve të mi, por e mesatares së lartë të notave të shkollës së mesme dhe atyre që vendosnin ne atë kohë. Në vitin e parë të fakultetit, babai më dhuroi një libër që e ruaj akoma, "Fjalor i Kimisë".

Si ndjehesh pas kaq vjetësh në ushtrimin e këtij profesioni?

Më pëlqen analiza dhe sinteza, po mbi të gjitha më pëlqen "logjika e kimistit". Ndjehem shumë mirë në profesionin e kimistes.

A ju ka shkuar ndërmend që dhe fëmijët juaj të orientohen në këtë drejtim?

Unë dhe Agustini jemi kimistë. Djali, Orgesi është maturant dhe Juna në klasën e gjashtë. Të dy i kemi ndjekur me shumë kujdes për prirjet e tyre. Orgesi e pëlqen kiminë, po mendoj ta orientoj drejt biologjisë, ndërsa vajza është ende e vogël, por nuk do të më pëlqente të ndiqte rrugën tonë. Gjithsesi, vendimet u përkasin atyre.

Cila është “arma” që përdorni për të kaluar momentet e vështira në familje dhe jashtë saj?

Komunikim, logjikë, tolerancë dhe muzikë, pa harruar planin B. Në familje momentet e veshtira i kemi kaluar duke biseduar dhe arsyetuar. Koha ka qenë këshilltar i urtë, në këtë drejtim. Ndërsa në ambjentin profesional nuk ka qenë shumë e lehtë. Fillimisht kam vuajtur pasojat, sidomos kur jam ndodhur në sulme që kanë të bëjnë me xhelozinë profesionale. Më pas kam punuar gjithmonë me një Plan B, në mënyrë që të mos dëmtohej puna. Kur jam pa humor, dëgjoj në makinë ose kompjuter muzikë me volum të lartë dhe këndoj.    

Ç’raport keni me paranë? Me të bërit pazar, llojin e veshjeve?

Raporti me paranë nuk është shumë miqësor. Dua ta organizoj këtë raport, por me këto çmime që janë në treg… Pas të bërit pazar, nuk jam shumë e dhënë, po kur jam me shoqe më pëlqen. Veshjet i preferoj të jenë sa më praktike, mundësisht të pambukta. I dua cilësore, po nuk kam preferenca për markat e njohura.   

Për Magdën jeta është një sfidë e vazhdueshme. Përgjatë kësaj rruge, ajo nuk e pranon lodhjen, dorëzimin. Nuk ka pasur rast t’i pohojë vetes se u lodh nga situatat, njerëzit, po pranon se ka pasur raste që si një dirigjente e vërtetë, zotëruese e vetes të qetësohet duke e urdhëruar mendjen të ndryshojë rrjedhë e të mos mendojë kaq shumë për një situatë a reagim të caktuar

Si u njohët me bashkëshortin tuaj? Ishte dashuri me shikim të parë?

Me Agustinin jam njohur në fakultet. Ishim shokë të mirë dhe më pas kemi luftuar me jetën për të arritur aty ku jemi. Nuk ishte dashuri me shikim të parë. A besoj në dashurinë me shikim të parë? Mbase sytë turbullojnë, varet nga natyra e individit. 

Keni menduar ndonjëherë të angazhoheni politikisht?

Jo, nuk më tërheq fare politika dhe nuk ka pasur asnjë çast që të mendoj të angazhohem në të.

Si e shihni shoqërinë sot? Po gjendjen e grave durrsake?

Është bërë një mjedis i vështirë shoqëror. Ka individë që kanë merita të veçanta mirësie dhe sinqeriteti, që dinë ta vlerësojnë dhe ta ruajnë shoqërinë, po kjo nuk është e përgjithshmja. Për situatën e grave durrsake nuk kam shumë informacion. Ritmi i shpejtë dhe i ngarkuar i jetës krijon kufizimet e veta, po jam befasuar dhe kënaqur kur kam njohur zj. Myzejen Konduri, vitalitetin e saj dhe aftësinë për të krijuar rrjetin e grave dhe për ta mbajtur atë të përditësuar përmes aktiviteteve që organizon, po dhe realiteteve të ndryshme sociale. 

Çfarë ka ndryshuar me vitet te ju?

Vitet gjithmonë kanë efektet e tyre. Në një reflektim të shpejtë them se më kanë zvogëluar, pakësuar dozën e humorit.

Stina që pëlqen më shumë dhe pse?

Më pëlqen shumë pranvera, aroma e saj, lulet që çelin. Ndjej sikur përtërihem edhe vetë.

Çfarë bëni në kohën e lirë?

Më pëlqen të shoh filma dhe të lundroj në internet. 

Besoni në horoskop? Po në Zot?

Besoj në Zot. Horoskopin e lexoj, po nuk e besoj shumë.

Cili është kujtimi më i bukur nga fëmijëria?

Më kujtohet në një 8 Mars kur mësuesja ime e rrethit letrar në pallatin e pionerëve, poetja e njohur për fëmijë, znj. Adelina Mamaqi më kishte dërguar një vjershë që ia kisha dedikuar mamit në Radio Tirana. Ishte surprizë e bukur për mua dhe mamanë time, kur e dëgjuam atë mëngjes. Unë isha "poetesha e vogël" që e uroja mamin tim dhe të gjitha nënat për festën e tyre. Mami u përlot nga gëzimi. 

Çfarë vlerësoni më shumë te një person?

Sinqeritetin dhe inteligjencën. 

Vendi i preferuar për të udhëtuar a për pushime?

Bregdeti i jugut të Shqipërisë. Më pëlqen edhe kur udhëtoj midis maleve të Dibrës dhe anës lumenjve.

Profesioni i ëndërruar?

Më pëlqen profesioni im.

Gatimi më i dashur dhe a dini të gatuani mirë?

Më pëlqen tava e kosit me mish qengji dhe jufkat e Dibrës. Di të gatuaj dhe e bëj me kënaqësi gatimin, por kjo dëshirë është në përpjestim të zhdrejtë me kohën në dispozicion.

Autori dhe libri i preferuar?

Xhejms Olldixh me “Diplomati” dhe Viktor Hygo me “Njeriu që qesh” mbeten të preferuarit e mi.

Një nga synimet që keni për të ardhmen?

I përket profesionit. Synoj një laborator shkencor i pajisur me aparatura bashkëkohore dhe t'ju krijoj mundësi studentëve të masterit e të doktoraturës të punojnë në të.

Magdalena shqiptare

Emri Magdalena, pjesë e Maria Magdalenës, një nga figurat femërore më të rëndësishme biblike, e konsideruar si dishepulli i vetëm femër i Jezusit. Në popuj të ndryshëm ai mbart edhe kuptime të ndryshme, po në të gjitha rastet mbetet i lidhur me imazhin e një vajze të sofistikuar, po dhe pranë natyrës. Një vjedhëse zemrash, një bukuri e brendshme e rrallë; një valltare nën shi; dikush së cilës ia ndjen çdo herë mungesën, më gazmorja e grupit etj. Është një emër mjaft i përdorur veçanërisht në Poloni dhe në vendet e Amerikës Jugore. Për Magdalena Carën, emri është një kujtim, një dhuratë e çmuar nga i ati, i cili me të bëri një përjashtim. I vuri të vetmin emër të huaj mes fëmijëve që solli në jetë. Vëllai dhe motra mbajnë emra shqiptarë. Falë profesionit ajo ndjehet shumë pranë natyrës dhe e dashuron punën e saj. Si për këdo, edhe për Magdën jeta është një sfidë e vazhdueshme. Përgjatë kësaj rruge, ajo nuk e pranon lodhjen, dorëzimin. Nuk ka pasur rast t’i pohojë vetes se u lodh nga situatat, njerëzit, po pranon se ka pasur raste që si një dirigjente e vërtetë, zotëruese e vetes të qetësohet duke e urdhëruar mendjen të ndryshojë rrjedhë e të mos mendojë kaq shumë për një situatë a reagim të caktuar. E kur kjo ka ndodhur, është shoqëruar edhe me dëshirën për t'u larguar përkohësisht, dëshirë e lindur jo thjesht nga nevoja për pushim. E përditshmja e karakterizuar së fundmi dhe nga kriminaliteti dhe dhuna e shtuar familjare që raportohen çdo ditë në media e trazojnë fort, e shqetësojnë. Ajo beson se edukimi është arma për të rritur individë të shëndetshëm dhe për të përmirësuar përmes individit krejt shoqërinë. Dy fëmijëve të saj, Orgesit dhe Junës u kërkon me këmbëngulje të mësojnë sa më shumë. I sugjeron edhe si të organizojnë në mënyrën më të mirë kohën e lirë, ndërsa me studentët në fakultet përpiqet të krijojë një raport të ngrohtë, thuajse miqësor duke synuar që ata të familjarizohen me lëndët që zhvillojnë dhe të jenë të orientuar për jetën që i pret.