Qeveria ka fuqizuar rolin e Komisionit për Mbrojtjen e Gjyqtarëve.

Sipas vendimit të marrë këtë të mërkurë nga qeveria, Komisioni për Mbrojtjen e Gjyqtarëve, sa herë të konsiderohet e nevojshme, përpara përfundimit të afatit të mbrojtjes, bën verifikimin e kushteve për të përfituar mbrojtje të veçantë dhe të nevojave të sigurimit dhe në përfundim të verifikimit, Komisioni merr vendim për zgjatjen e afatit të masave të mbrojtjes, shtimin ose pakësimin e tyre apo ndërprerjen e mbrojtjes së veçantë.

Sipas vendimit të publikuar nga qeveria, gjyqtari brenda 15 ditëve nga përfundimi i afatit të masave të mbrojtjes, mund të paraqes para komisionit kërkesë për zgjatjen e këtij afati.

Në vendimin e qeverisë saktësohet se ndryshimi është bërë në pikën 17-të të vendimit të Qeverisë të 1-korrikut 2019: “Kriteret dhe procedurat për mbrojtjen e veçantë të magjistratit gjatë ushtrimit të funksionit ose për shkak të tij”

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.