Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja deklaron "nuk ka kthim prapa"  dhe "dialog me kushte për të zhbërë Vetingun harrojeni".

"Ne nuk i kemi 84 vota por nuk na pengon aspak ta shohim njëri-tjetrin në sy në sallën e parlamentit e të komunikojmë drejtpërdrejt për të thënë disa të vërteta lidhur me zbatimin e reformës në drejtësi, sepse kam përshtypjen se procesi i reformës në drejtësi nuk është kuptuar si duhet nga opozita dhe po spekullohet në një lojë të pastër politike", u shpreh Manja në një prononcim për median jashtë sallës së Kuvendit.

"Nuk ka kolapsim të sistemit të drejtësisë, por kolapsim të opozitës e cila që nga dita e parë e të nesërmës që ka dhënë votën për ndryshimet kushtetuese është bërë pishman për të gjithë dinamikën e reformës. Ne po presim me qetësi që opozita të reflektojë për ta dhënë votën për shkollën e magjistraturës, sepse nëse nuk e jep votën për shkollën e magjistraturës, ne do të presim me qetësi ngritjen e këshillave të reja që ka paracaktuar Kushtetuta dhe ligji. 

Por do të jetë shumë vonë për opozitën sepse në momentin që sistemi i drejtësisë, organet e reja të drejtësisë, do të ngrihen dhe funksionojnë, po ju them se konsensusi i vapës së korrikut 2016 do t'ju duket dimër. Reforma në sistemin e drejtësisë është projekt madhor i shqiptarëve. Nuk është shantazh. Duhet të jemi të qartë, o jemi në krahun e reformës dhe Vettingut, ose kundër reformës. Rrugë të mesme nuk ka".

Manja thotë se pr/ligji për disa ndryshime lidhur me statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, i njohur dhe si ligji për magjistraturën "është shumë i rëndësishëm i karakterit tërësisht juridik dhe nuk ka asnjë qëllim politik.

Nga ana tjetër Partia Demokratike nuk ishte e pranishme në seancë dhe PD njoftoi se në selinë e kësaj partie po mbahet mbledhja e grupit parlamentar. Pas kësaj pritet që kryetari Basha të ketë një deklaratë.