Shumica e njerëzve e njohin atë si një suplement që lufton ngërçet dhe qetëson sistemin nervor. Megjithatë, hulumtimet e fundit zbulojnë një tjetër veprim të shkëlqyer të magnezit që e bën atë të rëndësishëm për trupin tonë.

Magnezi është një nga elementët më të rëndësishëm në dietë, thelbësor për funksionimin e qindra enzimave në trup dhe i rëndësishëm për funksionin e nervave dhe muskujve.

Hulumtimet e fundit nxjerrin në pah efektin antikancerogjen të magnezit, duke i dhënë atij një rol tjetër të rëndësishëm në mbrojtjen e trupit.

Nivelet e magnezit në gjak janë një faktor kyç në aftësinë e sistemit imunitar për t’i rezistuar dhe për të luftuar patogjenët e qelizat kancerogjene, sipas një hulumtim të botuar në Cell nga studiues të Universitetit të Bazelit dhe Spitalit Universitar të Bazelit, i cili theksoi se qelizat T kanë nevojë për magnez të mjaftueshëm për të funksionuar në mënyrë efektive.

Magnezi është një mineral i përfshirë në mbi 600 reaksione kimike në qelizat tona. Është i rëndësishëm për prodhimin e energjisë, formimin e proteinave, sintezën e ADN-së dhe transmetimin e sinjaleve midis trurit dhe trupit, ndër të tjera.

Nga ana tjetër, mungesa e magnezit duket se shoqërohet me një sërë sëmundjesh të tilla si infeksionet dhe kanceri. Studimet e mëparshme kanë treguar se tumoret kancerogjene përhapen më shpejt tek minjtë kur ata ushqeheshin me një dietë të varfër në magnez, ndërsa mbrojtja e tyre kundër virusit të gripit ishte gjithashtu e zvogëluar.

Studiuesit, zbuluan se qelizat T mund të eliminojnë në mënyrë efektive qelizat anormale ose të infektuara vetëm në një mjedis të pasur me magnez. Në veçanti, magnezi është shumë i rëndësishëm për funksionin e LFA-1, një proteinë receptore në sipërfaqen e qelizave T.

Fakti që magnezi është thelbësor për funksionin e qelizave T mund të jetë një zbulim i rëndësishëm për imunoterapinë moderne të kancerit. Këto terapi synojnë të mobilizojnë sistemin imunitar për të luftuar qelizat kancerogjene. Në nivelin eksperimental, studiuesit ishin në gjendje të tregonin se përgjigja imune e qelizave T kundër qelizave kancerogjene u rrit duke rritur përqendrimet lokale të magnezit në tumore.

Vërehet se ushqimet e pasura me magnez janë farat e kungullit, spinaqi, drithërat e plota, arrat indiane, bajamet, fasulet, quinoa, disa lloje peshqish (merluc, salmon), avokado, banane dhe çokollata e zezë.

Është mirë të mbahet mend se rritja e konsumit të fibrave zvogëlon biodisponibilitetin e magnezit.