Këtë vit Festivali i Këngës ka rezervuar surpriza të shumta për ndjekësit e tij të rregullt.
Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiu që po merren me organizimin e gjithë festivalit, kanë premtuar se do ta shndërrojnë në një spektakël të vërtetë dhe siç duket kështu do të ndodhë.
Pak ditë më parë u zbulua se Giusy Ferreri, Mahmood dhe Eleni Foureira do të jenë disa nga të ftuarit specialë të Festivalit të 58-të të Këngës. Tashmë na ndajnë vetëm fare pak ditë nga festivali dhe surprizat po zbulohen pak nga pak.
Sipas “RTSH.al”, fituesi i vitit të kaluar të ‘Sanremo’ që përfaqësoi Italinë në “Eurovision”, Mahmood, do të ngjitet në skenën e Pallatit të Kongreseve ditën e enjte, 19 dhjetor. Këngëtari i njohur do të performojë një kolazh me hitet e tij të fundit, duke përfshirë “Soldi” dhe “Barrio”.
Kjo është hera e parë që Mahmood këndon në Shqipëri dhe performanca e tij do të shoqërohet me efekte speciale në skenë.