TIRANE, 18 mars 2013– Kuvendi miratoi sot me konsensus të plotë pr/ligjin "Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive vendore", që lidhet me ndryshimin e emrit të komunës Liqenas, në Korçë, në emërtimin e saj të mëparshëm, Pustec.
Deputetët socialistë Pandeli Majko dhe Bashkim Fino duket se kanë hequr dorë nga qëndrimi i tyre kundër ndryshimit të emrit të komunës, e cila popullohet më së shumti nga komuniteti maqedonas.
Pavarësisht se pak ditë më parë në Komisionin e Ligjeve, dy deputetët socialistë votuan kundër nismës së PD-së, për ndryshimin e emrit të kësaj njësie vendore në rrethin e Korçës, ata vendosën të zbatonin sot vendimin e grupit të PS-së për të miratuar nismën.
Nisur nga vota 'pro' e opozitës për draftin e mësipërm, sërish kryetarja e Kuvendit, ftoi deputetët e PS-së për votimin e tre ligjeve për marrjen e statusit, që kërkojnë shumicë të cilësuar. "Nuk votoni, nuk ju lejojnë të votoni",- iu drejtua Topalli deputetëve të majtë, në mbyllje të votimit të ligjeve të sotme në Kuvend.
DEBATET PER LIQENASIN NE GRUPIN E PS
Ndryshimi i emrit të komunës Liqenas, në Pustec, është bërë shkak për debate në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Dy deputetët Bashkim Fino e Pandeli Majko janë shprehur se nuk mund të votonin kundër qëndrimit që ata kishin mbajtur në mbledhjen e komisionit të ligjeve. Më pas ka qenë Rama, i cili u ka shpjeguar se në fakt qëndrimi i PS-së për këtë nismë ishte vendosur dhe për këtë ishte njoftuar edhe nënkryetari i komisionit, deputeti Fatmir Xhafaj. Deputeti Bashkim Fino mësohet t’i ketë thënë Ramës se “përse duhet ta mbështesë PS-ja këtë nismë, që vjen me firmat e deputetëve të PD-së, ndërkohë që po të kishte ardhur si kërkesë nga vetë banorët e zonës, do të kishte marrë mbështetjen e menjëhershme të opozitës”.
Edhe në këtë pikë, Rama ka shpjeguar se vetë ai dhe Gramoz Ruçi kanë biseduar me kryetarin e komunës së Liqenasit, i cili u ka kërkuar mbështetjen për ndryshimin e emrit të komunës. Në këtë takim mësohet që Rama të ketë thënë: “Ne u kemi dhënë fjalën që do t’i mbështesim, ndaj edhe nuk mund të veprojmë ndryshe”.
Nga ana e tij, deputeti i qarkut të Korçës, Pandeli Majko mësohet të ketë thënë se ai nuk është kontaktuar si deputet nga ky komunitet dhe askush nuk i ka kërkuar firmën për këtë nismë. Po kështu Majko mësohet të jetë shprehur se nëse këtë gjë, pra ndryshimin e emrit e kërkon vetë komuniteti, ai ka gjithë të drejtën ta ndryshojë dhe duhet mbështetur, por problemi për socialistët qëndron në faktin se kjo vjen përmes një nisme të mbështetur nga PD, e cila sipas tyre e bën këtë për fushatë elektorale dhe për të marrë disa vota në atë komunë.