Tiranë, 19 prill 2014 – Në debatin që përfshiu dje Komisionin Parlamentar të Ligjeve lidhur me propozimin e disa deputetëve të mazhorancës për t’i hequr Presidentit të Republikës të drejtën e zgjedhjes së Inspektorit të Përgjithshëm të ILDKP-së, deputeti socialist Pandeli Majko iu referua një vizite që deputetë shqiptarë, të pozitës dhe opozitës, zhvilluan së fundmi në Qendrën Marshall në Gjermani.

Majko tregoi në komision një episod gjatë udhëtimit teksa kishin takuar në avion disa gjyqtarë të cilët po shkonin për të parë ndeshjen e "Bayern Mynih".

"Ju e dini shumë mirë. Ishim duke shkuar në Mynih, bashkë me ne ishin dhe gjykatës që kishin prerë biletën për të parë ndeshjen e Bajernit. Më falni miqtë e mi. Të gjithë ne kemi këto rroga që kemi, ju del juve të bleni biletën dhe të shkoni të shikoni ndeshjen?! Ju del ju të bëni gallatë me të ardhurat tuaja dhe të shkoni të shikoni ndeshje?! Ne kemi krijuar një elitë të korruptuar në zemër të shtetit”,- tha Majko.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/