TIRANE– Deputeti i PS, Pandeli Majko, ish-kryeministër gjatë luftës në Kosovë, në një intervistë  ka folur dje për 5-vjetorin e parë të Pavarësisë së Kosovës me optimizëm për të ardhmen e shtetit më të ri në rajon, duke i kërkuar pjesës tjetër të kombit të ecë shpejt me sytë nga e ardhmja europiane. 

"Kosova e pavarur tek unë nuk fillon 5-së vite më pare, por 14-të vite të shkuara, në vitin 1999. Largimi i ushtrisë serbe dhe kthimi i njerëzve në shtëpi pas luftës çlirimtare ishin “formalitete” fillestare. Të tjerat erdhën më vonë. Koha ecën. Tani Kosova është kthyer në një koordinatë ndërkombëtare dhe pjesë e memorjes globale. Nuk ka qenë dhe as do të jetë e lehtë të ndërtosh veten si shtet në një rajon të mbushur me urrejtje dhe paragjykime si Ballkani. Jam optimist jo nga natyra, por nga ajo që shoh të vijë për Kosovën dhe shqiptarët në rajon. Pavarësia e Kosovës e nxori faktorin shqiptar nga “gropa” e historisë dhe të qenit një material “mbushës” në strukturën e balancave rajonale. Dy polet e shqiptarizmit shtetëror në Tiranë dhe Prishtinë janë projektuar për të sjellë paqe dhe shqiptarë që nuk do e njohin në sjelljen e tyre inferioritetin. Si fillim, kjo nuk është pak", u shpreh ish kryeministri i Shqipërisë.

I pyetur rreth së ardhmes europiane të Kosovës deputeti socialist Pandeli Majko u shpreh:

"Bashkimi Europian është një godinë në ndërtim e sipër. Si e tillë ajo prodhon edhe kriza besimi që kërkojnë mirëkuptimin e shqiptarëve. Më shumë se të nervozohemi me europianët vlen të shohim edhe kë ju kemi vënë përballë për të folur në emër të interesave shqiptare. Padyshim që mos prisni që për shqiptarët të shtrohet “qilimi i kuq” për të na pritur me brohoritje në Bruksel në një kohë që pak kohë më parë kemi qenë për një pjesë jo të vogël europianësh veç një komb “periferik”. Disa gjëra si kjo e fundit mos prisni që të na i thonë me zë të lartë. Sigurisht Kosova sot nuk është Shqipëria e hapave të para si shtet kur një fuqie si Italia ju njohën të “drejta eskluzive” mbi sovranitetin e shqiptarëve. Kjo pati efekte historike që zgjati për dekada në njohjen e Shqipërisë si shtet sovran. Nëse një “patologji” përsëritëse do të kishte paralele në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës, kjo do të ishte e gabuar. Shqiptarët nuk janë budallenj dhe kanë miq edhe jashtë europës për ta kuptuar e kundërshtuar këtë. Nëse dikush ka një plan që e ndërton të ardhmen në kurriz të shqiptarëve, i duhet të kuptojë se nuk ka si shqiptarët për të “prishur” atë që ju kufizon të drejtën që u takon. Askush dhe për asnjë arsye nuk mund ta ndalojë Kosovën të ecë në rrugën e saj".