TIRANE – Nuk ka asnjë njoftim zyrtar, por persona që e quajnë veten përfaqësuesit e degës së partisë neonaziste greke “Agimi i Artë”, në Sarandë, më 30 janar të këtij viti, kanë hapur në rrjetin social një profil me emrin “Agimi i Artë-Sarandë”. 

Kohë më parë “Agimi i Artë” njoftoi në faqen e tij zyrtare, se do të hapë degët e tij në jugun e Shqipërisë, por për hapjen e degës së tij në Sarandë, nuk ka një njoftim zyrtar nga qendra e partisë në Athinë, ndaj nuk përjashtohet mundësia që këtë profil ta ketë hapur një simpatizant i ekstremistëve. Megjithatë përcjellja në media e lajmit se partia neonaziste greke ka hapur një degë të saj në Sarandë, ka ngjallur reagimin e menjëhershëm të deputetit të Partisë Socialiste, Pandeli Majko. 
 

“Partia neonaziste ‘Agimi i artë’ ka hapur degë në Shqipëri?! A ka Ministri të Brendshme dhe Ministri Drejtësie në vendin tonë për të dhënë shpjegime rreth këtij lajmi që është botuar në media. ‘Agimi i artë’ në Shqipëri vlen të trajtohet si organizatë terroriste. Organizata të tilla janë ‘vdekja klinike’ e principeve dhe frymës europiane në rajon”, u shpreh Majko me anë të një reagimi në 'Facebook'.