TIRANE – Ish-kryetari i Forumit Rinor Socialist, Pandeli Majko ka kujtuar me nostalgji vitet e para të krijimit të forumit që e drejtoi për vite me rradhë. Në një koment të bërë në rrjetin social “Facebook”, deputeti Majko ka treguar për herë të parë se ç’ndodhi me stemën e FRESSH-it ndër vite. Lulëkuqja, simboli në teserën e parë të FRESSH u hoq më vonë, me arsyetimin se “ishte lule me përmbajtje lëndësh narkotike”. Foton e teserës së parë të FRESSH Majko e ka shoqëruar edhe me një koment ku kujton me nostalgji ato ditë të para të krijimit të FRESSH-it.

“Kjo është tesera e parë e anëtarësisë së Forumit Eurosocialist. Po vjen 15 janari i FRESSH-it! Të mendosh se kjo histori filloi me 6 vetë…Për të vazhduar në mijëra të tjerë në të gjithë vendin. Kjo është pjesa më e bukur e historisë politike të Partisë Socialiste. Lulëkuqen që mua më pëlqente veçanërisht u hoq më vonë edhe nga stema fillestare e PS, pasi “ishte lule me përmbajtje lëndësh narkotike” dhe duhej të shkonim tek “trëndafili” i së majtës europiane… Për të treguar rëndësinë e FRESSH-it të kohës stema e PS kishte “dy trëndafila”, ai i paçeluri përfaqësonte rininë eurosocialiste… Pastaj edhe neve na u hap “gonxhja”… Duket sikur është dje! Dhe historia vazhdon!”,- shkruan Majko.

Duket se deputeti socialist është rikthyer me kujtime në vite të para të krijimit të FRESSH-it, pikërisht në këtë periudhë kur pak ditë na ndajnë nga 15 janari, 21-vjetori i themelimit të FRESSH-it. 

Më 15 janar, ora 16:00 Forumi Rinor Eurosocialist do të festojë jo vetëm 21-vjetorin e krijimit, por edhe hapjen e fushatës për zgjedhjet e 23 qershorit.