9 maj 2015 – Deputeti socialist Pandeli Majko, ka reaguar përmes një postimi në faqen e tij në Facebook, lidhur me situatën e fundit të krijuar në Kumanovë, për të cilën thotë se shqiptarët po paguajnë çmimin e “sallatës maqedonase”.
Sipas Majkos, populli shqiptar në Maqedoni po vuan drejtimin e paditur të qeverisë vendase, e cila ende nuk e ka zgjidhur problemin e pushtetit.
“Me shqetësim po ndjek situatën në Maqedoni. Në këtë shtet e ke të vështirë të bësh dallimin midis operacionit “policor” dhe atij ushtarak. Shkupi është i dënuar të prodhojë ose dialog ose të kundërtin e vet si një shembull rajonal për mirë ose keq. Kjo që po ndodh aktualisht është shqetësuese pasi qeverisja e rraskapitur e Shkupit po shkon në drejtim të paditur. Në Maqedoni kriza po merr përmasë midis një pale që nuk po qeveris dot dhe një pale që nuk e merr dot pushtetin. Në mes janë shqiptarët që po paguajnë me çmim të lartë në mënyra të ndryshme “sallatën maqedonase”, shkruan Majko.
Deri më tani në Kumanovë raportohet për pesë shqiptarë të vrarë dhe 10 policë të plagosur. Mes viktimave thuhet se është edhe një femijë 8 vjeç.
/S.L. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/