Dy ditë para 21 janarit, deputeti i Partisë Socialiste Pandeli Majko nga Korça ka kërkuar që shteti shqiptar të vendosë drejtësi për 4 jetët e humbura në 21 janar.
Duke u ndalur tek deklaratat e ambasadorëve, të cilët kanë kërkuar zbardhjen e plotë të ngjarjes, Majko tha se drejtësia nuk duhet matur me deklaratat e ambasadorëve të akredituar në Tiranë, por duhet që në Shqipëri të vendoset një raport i vërtetë me ligjin.
"Shpresa ime nuk tejkalon ato që kanë të bëjnë me litimet e drejtësisë shqiptare. Boll të shikosh se si ekspertët flasin përballë gjyqësorit sot, përfaqësuesi i Prokurorisë thotë që plumbi që vrau një nga demostruesit ishte goditur direkt dhe tjetri, në mënyrë të turpshme, thotë që është goditur rikoshet. Boll të dëgjosh të tilla gjëra të kuptosh se si është gjendja. Nuk besoj që ne raportin me drejtësinë duhet ta masim me deklarimin e ambasadorëve. Me respektin më të plotë më të plotë dhe më të thellë, por mendoj se deklaratat e ambasadorëve duhet të rikthejnë në mënyrë të qartë faktin se drejtësia në Shqipëri duhet të flasë", thotë Majko.
Deputeti socialist gjithashtu nënvizoi se drejtësia shqiptare ndodhet në limitet e saj, duke argumentuar deklaratat e kundërta të dy ekspertëve dhënë gjatë procesit gjyqësor për 21 janarin.