Diçka e pazakontë dhe e pakëndshme i ndodhi Pandeli Majkos në takimin e 5 ditëve më parë, me anëtarët e Forumit Rinor Eurosocialist Shqiptar (FRESSH) të Tiranës. Ai u përhumb në batuta me kryeministrin Rama, një situatë që ka vijuar edhe pas takimit për anëtarësimet e reja në PS, deri në momentin kur Majko e Rama janë ndarë për të hipur secili në makinën e vet. Por sapo ka hipur në makinë Majko ka kuptuar se kishte harruar pallton në karrigen ku ishte ulur. Ai është kthyer për ta marrë, por nuk e ka gjetur, raporton “Panorama”.

Mësohet se Majko ka pyetur edhe të rinjtë që kishin mbetur në sallë, por askush nuk ka ditur gjë. Majko nuk e ka humbur qetësinë dhe është larguar me shpresën se palltoja do t'i kthehet. Por të hënën në mbledhjen e grupit Parlamentar të PS-së, Majko është parë me një xhup vjeshtor, e jo me një pallto dimërore, që tregon se palltoja e tij është ende në kërkim.