26shtator 2015  – Mbledhja e djeshme e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike është shoqëruar me debate të ashpra. Shkak është bërë vonesa e kreut të PD-së, Lulzim Basha. Lapsi.al shkruan se, Basha e ka thirrur mbledhjen në orën 9 të mëngjesit, por ka shkuar në orën 11, duke i lënë deputetët në pritje për dy orë. Kreu i grupit, Edi Paloka, shkoi në sallën e mbledhjeve dhe u ka thënë deputetëve: "Asnjë të mos lëvizë derisa të vijë kryetari".

Por urdhërin e ka thyer Majlinda Bregu. Ajo është larguar pa ardhur Basha, duke u thënë kolegëve se kishte një takim me ambasadorë, për çështje që lidhen me marrëdhënien Shqipëri-BE. Por ikja e Bregut acaroi kryetarin Basha, i cili ka thënë: “Kush është kjo zonjë që guxon të ikë e të lërë një mbledhje të rëndësi". Por debatet nuk u mbyllën me kaq. “Nëse në vendin ku jam unë do të ishte paraardhësi im, këtë do e quante sabotim”, u është drejtuar Basha, deputetit Flamur Noka dhe Arben Ristani, të cilët erdhën me vonesë në mbledhje. Ndërkohë vetë Basha nuk ka pasur një sqarim për vonesën e tij.

Majlinda Bregu është e vetmja opozitare e cila ka qëndruar më afër qeverisë Rama, nisur dhe nga pozicioni i saj në komisionin e Integrimit dhe fakti i të qenit ish-ministre e Integrimit. Po sot, deputetja Mesila Doda komunikoi largimin e saj nga Partia Demokratike.

/portali DurresLajm/