19 nëntor 2014–  Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nderoi me titullin “Nderi i Kombit” xhudisten kosovare, Majlinda Kelmendi e cila mban titujt kampione evrope dhe kampione bote. Gjatë një ceremonie të zhvilluar në selinë e presidencës, kreu i shtetit e cilësoi Kelmendin si një ambasadore të Kosovës nëpër botë, që e përfaqëson denjësisht vendin e saj dhe promovon vlerat më të mira të të gjithë shqiptarëve. Në vijim ai shtoi se titulli që i jepet Kelmendit, duhet të inkurajojë të gjithë sportistët shqiptarë, të cilët duhet ta konsiderojnë rrugën e tyre si një mundësi të promovimit të vlerave të sportit, kulturës, dhe trashëgimisë shqiptare.

Nga ana tjetër, xhudistja kosovare  tha se ndihet e nderuar dhe mjaft e inkurajuar, dhe shtoi se suksesin e saj ia dedikon të gjithë shqiptarëve pavarësisht në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni.

Kelmendi i dhuroi institucionit të presidencës kostumin e kampiones që do të jetë tashmë pjesë e një vendi të veçantë në Presidencë, ku ruhen dhurata të tilla të rralla.