Majlinda Kelmendi nuk ia del t’i shtojë nëj tjetër medalje të Artë Kosovës në Lojërat Olimpike Tokio 2020. Xhudistja e njohur kosovare, e cila u dha “dardanëve” edhe medaljen e parë Olimpike, pasi zuri vendin e parë në lojërat e Rios më 2016-ën, këtë herë u eliminua që në raundin e parë.

Majlinda Kelmendi garoi në peshën deri në 52 kilogramë, por u mposht nga rivalja hungareze Reka Pup, duke befasuar të gjithë, që prisnin sërish një përfaqësim dinjitoz të saj dhe pse jo një tjetër medalje të artë.

Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes së Kelmendit, ka reaguar nëpërmjet një postimi edhe trajneri i saj Drilon Kuka, i cili zbulon ndër të tjera se disa dëmtime nuk e kanë lënë xhudisten të stërvitet ashtu si duhet për këto Lojëra Olimpike.

“Krenaria e veprimtarisë time… Majlinda të falënderoj për jetë! Do jesh gjithmonë Kampione Olimpike, Botërore e Evropiane! Sot mos u hidhëro, pasi puna e sakrifica,djersa e gjaku që ke derdhur për veten tande,për mua, familjet tona,popullin Shqiptar, t’u ka shpërblyer gjatë karrieres.

Mos u hidhëro se e arta e Disit është e të gjithë neve, e ekipit tonë. Mos u hidhëro sot të lutem,kokën lartë se aq shumë gëzime i ke dhuruar popullit Shqiptar! Zoti të ka shpërblyer punën tande,lëndimet ishin sfida që aq shumë të munduan ty fizikisht e mua shpirtnisht. Kokën lartë Majlinda! Krenar me ty deri në frymën time të fundit”, shkroi trajneri Kuka në rrjetet sociale.

Gjithsesi vlen të theksohet se Kosova vijon të ruajë traditën e medaljeve të arta në Lojërat Olimpike, pasi dje ishte xhudistja tjetër Distria Krasniqi, që ngriti lart flamurin e vendit, duke triumfuar në peshën deri në 48 kilogramë.