17 maj 2014 – Xhudistja kosovare Majlinda Kelmendi e cila fitoi titullin evropian vetëm pak ditë më parë, i shton palmaresit të saj një tjetër çmim prestigjoz. Ajo është shpallur xhudistja më e mirë e Evropës për vitin 2013 në një ceremoni të organizuar nga Unioni Evropian i Xhudos.
Pas suksesit në Montpellier pak javë më parë, Kelmendi u shfaq e pranishme në ceremoninë e organizuar nga kreu i federatës europiane, Sergey Soloveychik, duke marrë medaljen në nder të saj.
Kelmendi ështrë mbajtëse në fuqi edhe e titullit botëror për kategorinë 52 kg, duke hedhur kandidaturën edhe për një medalje ari në olimpiadën Rio 2016.
Në evenimentet ndërkombëtare të xhudos, Kelmendi garon nën siglën e flamurit të Kosovës, ndërsa në olimpiadën e fundit Londër 2012 ajo përfaqësoi Shqipërinë.
Pak ditë më parë, ministria e Sportit të Kosovës i dorëzoi Kelmendit edhe çekun me rreth 60 mijë euro për arritjet e saj gjatë dy viteve të fundit.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





