Policia e Durrësit thotë në një njoftim paraprak për shtyp, se makina tip “Benz C-Clas” që u gjet e djegur sot në Krujë, është denoncuar si e vjedhur në Lushnjë.

Më datë 11.04.2018, Salla Operative Krujë është njoftuar se në fshatin Gramëz, Krujë, është djegur plotësisht një mjet tip “Benz C-Clas”, me portbagazh me targa AA 399 DG. 

Nga veprimet paraprake hetimore ka rezultuar se më datë 09.04.2018 në Komisariatin e Policisë Lushnje ka bërë kallëzim shtetasi A.T. se i kanë vjedhur mjetin tip “Benz” me targa AA 399 DG”, informon policia.

Në vendngjarje ndodhen Efektivët e Policisë, të cilët po punojnë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Dyshohet se makina është përdorur në atentatin e djeshëm në Tiranë, ku mbeti i vrarë 28-vjeçari Mario Majollari.

Hetimet paraprake të uniformave blu janë që Mario Majollari të jetë ekzekutuar për hakmarrje. Babai i tij, Avni Majollari po vuan dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy personave në vitin 2000, të Armando Nelaj dhe Ilir Gjuzit.

28-vjeçari Majollari u ekzekutua mbrëmë rreth orës 20:25 pranë banesës së tij në zonën e Kinostudios në kryeqytet. Ai kishte pak kohë që ishte kthyer nga Suedia, pasi në vitin 2015 kishte aplikuar për azil në këtë shtet, por kërkesa e tij u refuzua.