Një moment dramatik ndodhi gjatë koncertit të fundit të Beyoncé në Houston, qytetin e saj të lindjes, pas një defekti teknik që detyroi këngëtaren të ndërpresë papritur performancën.
Ngjarja ndodhi gjatë një prej pjesëve më spektakolare të shfaqjes, kur Beyoncé hipën në një pajisje të ngjashme me një “makinë fluturuese” që e lëviz mbi audiencë.
Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, gjatë ngritjes në ajër, struktura nisi të anohet në një kënd të rrezikshëm, çka çoi në ndërprerjen e menjëhershme të performancës dhe aktivizimin e protokolleve të sigurisë.
Stafi teknik ndërhyri me shpejtësi për të ulur pajisjen dhe për të garantuar që këngëtarja të zbriste në tokë pa pasoja fizike.
Publiku, fillimisht i habitur dhe më pas i shqetësuar, duartrokiti ndërhyrjen e suksesshme dhe reagimin profesional të Beyoncé, e cila mori mikrofonin për të falënderuar fansat për durimin dhe për të siguruar se ishte mirë. Ajo e quajti incidentin “një moment të papritur, por që na kujton se siguria vjen gjithmonë e para.”
Stafi menaxhues konfirmoi më pas përmes një deklarate se asnjë person nuk është lënduar dhe se pajisja në fjalë do të kalojë në një kontroll të imtësishëm përpara performancave të ardhshme. “Beyoncé e vlerëson dashurinë e publikut të saj dhe përkushtimin e tyre, veçanërisht në Houston, ku çdo detaj ka një rëndësi të veçantë”,- thuhet në deklaratë.
Pas një pauze të shkurtër, koncerti vazhdoi, por fansat në rrjetet sociale kanë përgëzuar reagimin e Beyoncé, duke e quajtur “një yll në çdo kuptim të fjalës”.