Policia italiane shkatërroi një bandë të trafikut të kokainës, në krye të së cilës ishin 3 shqiptarë. 12 kg kokainë u sekuestruan nga karabinierët e Romano-s pranë qytetit të Bergamos dhe 114 mijë euro cash.

Mediat italiane raportojnë se droga e cilësisë së lartë, ishte fshehur në karrocerinë e një makine. Gjithçka nisi pas ndalimit të dy makinave të dyshimta në një parkim, brenda të cilave u gjet sasia e konsiderueshme e kokainës dhe paratë.

Ndërkohë policia ndoqi tre shqiptarët, të moshave midis 24 dhe 40 vjeç, deri në shtëpinë e një bashkatdhetari të tyre, ku ky i fundit po procedohet bashkë me të fejuarën e tij.

‘Ansa’ shkruan se në apartamentin në rrugën ‘Dosso Pagano’ do të bëhej edhe shitja e drogës, por shqiptarët u kapën në befasi. 

Nëse do të hidhej në treg, droga e sekuestruar do t’u sillte trafikantëve mbi 700 mijë euro fitime.