GJERMANI, 21 shkurt 2013 – Kreu i përgjithshëm i sektorit të kërkimit dhe zhvillimit në kompaninë gjermane të prodhimit të automjeteve, Volkswagen që prej 11 vjetësh kishte kërkuar me ngulm ndërtimin e një makine që të harxhojë vetëm 1 litër karburant për 100 kilometra rrugë të përshkuar.
Dhe premtimet mbahen. Sot, pas premtimit të vitit 2002, një makinë e tillë është bërë realitet në sajë të punës 11-vjeçare të grupit të ekspertëve gjermanë.
Për të qenë të saktë, thotë Ulrich Hackenberg, kreu i VW, makina harxhon vetëm 0.87 litra në 100 kilometër rrugë.
Modeli XL-1 i Volkswagen peshon vetëm 795 kilogram, rreth 500 kilogramë më pak se makinat me të njëjtin volum.
XL-1 është e ndërtuar me plastikë të përforcuar me fibra karboni, ka një motorr turbodiesel dy-pistonësh nga 830 cc, 48 kuaj fuqi në total dhe bëhet fjalë për një sistem hibrid me bateri litiumi 5.5 kWh e rikarikueshme.
XL-1 është më e vogël se një Polo, më e ulët se një Porsche Boxster, pasqyrat e jashtme janë zëvendësuar me kamera të vendosura që transmetojnë sinjalin në monitorin e vendosur në kroskot.
Të gjithë këta elementë e ndihmojnë prodhimin e ri të VW të reduktojë në maksimum forcën aerodinamike.
Rezultatet janë mbresëlënëse, përveç konsumit të paktë, emëtimi i dioksidit të karbonit të XL-1 është vetëm 21 gramë për 1 kilometër.