TIRANE, 24 shkurt 2013– Në shkrimin “Makina ‘pa frena’ e premtimeve për biznesin”, të publikuar në numrin e së shtunës të revistës së përjavshme “Java”, Bardhi Sejdarasi rendit premtimet e qeverisë (disa prej të cilave të kthyer tashmë në ligj) që kanë për qëllim të përmirësojnë klimën e të bërit biznes në vendin tonë. Ajo që e shqetëson më tepër autorin e shkrimit është fakti se pse këto premtime që tashmë kanë marrë formë ligjore vonojnë të zbatohen dhe arsyeja është e thjeshtë, nuk janë shoqëruar nga aktet nënligjore që janë detyrë e qeverisë.
“Premtimi për heqjen e TVSH për makineritë e pajisjet e importit për nevoja të rritjes së investimeve tashmë është kthyer në ligj. Por vetëm kaq….. Ligji duhet të shoqërohet me aktet nënligjore që janë detyrë e qeverisë, pra e ministrive respektive….. Të gjithë ato subjekte, vendase apo të huaja, që ‘iu ka ngrënë dora e majtë’ si për të treguar që kanë përfituar 20% të parave të TVSH së përfituar nga ligji, duhet ta harrojnë këtë edhe për disa kohë. Qeveria nuk ka gati listën e makinerive e pajisjeve që përjashtohen nga TVSH! Kur do të vijë kjo listë? Askush nuk e di dhe askush nuk jep përgjigje”,- thotë Sejdarasi në shkrimin e tij.
Ndërsa nënvizon faktin se premtimet qeveritare për lehtësimin e biznesit nga taksat janë njësoj “si ta lëshosh pa duar arkën e shtetit”, Sejdarasi tërheq vëmendjen sesi qeveria miraton me kaq lehtësi ligje të njëpasnjëshme që pakësojnë të ardhurat në buxhet, ndërkohë që ky i fundit po vuan nga ‘gërryerja’.
“Të paktën për 2012, sipas shifrave ende jo zyrtare, taksa si TVSH, akciza, tatim fitimi, tatimi mbi të ardhurat etj., nuk janë realizuar sipas parashikimit. TVSH është mbledhur rreth 3% më pak në 2012, krahasuar me 2011. Tatim fitimi e ka më të theksuar ‘pikiatën’, sepse buxhetit i mungojnë jo më pak se 15% të ardhura nga ky zë”,- shkruan Sejdarasi.
Në të njëjtën kohë autori i shkrimit kritikon edhe maninë e qeverisë Berisha për të kundërshtuar me “argumenta”, siç i quan ai propozimet e opozitës. “Çfarë kuptimi ka ‘turrja’ me nxitim ndaj deklarimeve të saj duke harxhuar kohë, energji dhe mund nga koha, energjia dhe mundi që i nevojitet qeverisjes?”,- shtron pyetjen Sejdarasi.
Qeveria ka deklaruar se do të heqë TVSH-në për makineritë e fasonit, zerimin e tatimit mbi të ardhurat personale, heqjen e taksës së punës për tre vite për të gjithë ata që fillojnë punë për herë të parë, heqjen e TVSH-së për bagëtitë e racave të pastra, çlirimin nga TVSH-ja të makinerive dhe pajisjeve për të gjithë llojet e prodhimeve bujqësore dhe blegtorale, të industrive të përpunimit etj., etj. Sipas Sejdarasit ndërsa biznesit i qeshin sytë nga premtimet që bën çdo ditë qeveria, realizimi i këtyre premtimeve ka hyrë në kalendat greke.
“Shpresoj shumë që të bëhet efektive (premtimet e qeverisë) në 6 mujorin e dytë të 2013. Edhe atëherë mirë do të jetë, biznesi do të përfitojë gjithsesi, por unë e kam frikën të kjo makina ‘pa frena’ e qeverisë, sepse nuk arrij dot ta llogaris ku do të përfundojë ajo!”,- e mbyll shkrimin e tij Bardhi Sejdarasi.
/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/