Anxhela Peza, psikologia e emisionit “Me zemër të hapur” në “News24”, ka pësuar një aksident të vogël pasditen e sotme. Ngjarja ka ndodhur në lagjen ku ajo banon, në rrugën “Ymer Kurti” pranë postës numër 8 në kryeqytet.

Në pamjet e siguruara nga “BalkanWeb” duket momenti kur një automjet tip “Audi” me xhama të zinj, ka kaluar rrugën e cila në ato momente ishte mjaft e populluar.

Për shkak se trotuaret e rrugës ishin të zaptuara nga automjetet që kishin parkuar sa majtas e djathtas, kalimtarët duket se janë të detyruar të ecin në rrugë.

Por ndonëse psikologia Anxhela Peza po lëvizte në anë të rrugës, 18-vjeçarja e cila drejtonte automjetin tip “Audi” nuk është treguar aspak e kujdesshme të manovrojë, por e ka përplasur atë pas një makine tjetër.

Për pasojë, Anxhela Peza ka pësuar fraktura në këmbë, dhe ka marrë mjekim në spital, raporton “BalkanWeb”.