Zija Hoxha, 63 vjeç nga Kavaja, drejtues i një ciklomotori, i ka shpëtuar për mrekulli me pak lëndime në gjymtyrët e sipërme e të poshtme aksidentit ku u përfshi edh një automjet tjetër. Aksidenti u shënua në rrugën dytësore Plepa-Golem në afërsi të Golemit, paraditen e sotme. Një mjet tip “Opel Korsa” goditi nga pas motorin që drejtohej nga 63-vjeçari, dhe u ndal vetëm pasi shkatërroi bordurën mbajtëse të rrugës, pranë një hoteli.  

“Mjeti ‘Opel Korsa’ ishte me shpejtësi mbi 100 km në orë, më goditi nga pas, dhe u rrëzova në rrugë. Nëse nuk do të kisha kaskën mbrojtëse do të kisha vdekur”, pohoi 63-vjeçari nga Kavaja, pasi iu dha ndihma e parë nga banorët aty pranë. Mu thyen 250 vezë që i kisha për të shitur në treg. Me to ushqehemi, mbledhim vezë dhe i shesim, se mbetemi pa bukë. Më ka bërë dëm të madh”, pohoi i moshuari.

Policia shkoi në vendngjarje ka ndaluar drejtuesin e automjetit të përfshirë në aksident dhe ka nisur hetimet për shkaqet.

K.H.