Pas problematikave të shkaktuara në qytet prej vendparkimeve të zëna nga automjetet e braktisura, Policia Bashkiake Durrës ka marrë një vendim të rëndësishëm.
Drejtuesve të këtyre mjeteve u është lënë afat 10 ditor që nga vendosja e njoftimit në mjetin përkatës për spostimin e tyre. Në të kundërt, pas përfundimit të këtij afati, Policia Bashkiake e Durrësit, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, do të ndërhyjë për heqjen dhe transportimin e mjeteve të braktisura drejt vendit të përcaktuar për depozitimin e tyre.
“Gjatë kontrollit të territorit të Bashkisë Durrës, shërbimet e Policisë Bashkiake kanë konstatuar disa automjete të braktisura në hapësira publike.
Në zbatim të nenit 157/5 të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë, Policia Bashkiake ka vendosur njoftimet përkatëse në çdo mjet të konstatuar.
Të gjithë pronarët e këtyre automjeteve duhet të marrin masa për largimin e tyre brenda 10 ditëve nga data e vendosjes së njoftimit në mjet.
Pas përfundimit të këtij afati, Policia Bashkiake e Durrësit, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, do të ndërhyjë për heqjen dhe transportimin e mjeteve të braktisura drejt vendit të përcaktuar për depozitimin e tyre”,- shkruan Policia Bashkiake Durrës në një postim në rrjete sociale..





