Komisioni Europian ka nisur një hetim, përfundimet e të cilit do të përcaktojnë nëse do të vendosen tarifa për të mbrojtur prodhuesit e Bashkimit Evropian kundër importeve më të lira të automjeteve elektrike kineze.
“Tregjet globale tani janë tejmbushur me makina elektrike më të lira. Dhe çmimi i tyre mbahet artificialisht i ulët nga subvencionet e mëdha shtetërore. Europa është e gatshme për konkurrencë, por jo për të bërë garë kush do të dalë i fundit. Ne duhet të mbrohemi kundër praktikave të padrejta, por në të njëjtën mënyrë, është jetike të mbajmë linja të hapura komunikimi dhe dialogu me Kinën, sepse ka edhe tema ku mund dhe duhet të bashkëpunojmë.”
Njoftimi i presidentes së Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen nuk është një surprizë për vetë prodhuesit kinezë të cilët kishin parashikuar një lëvizje të tillë.
Megjithatë, Komisioni Evropian do të ketë kohë deri në 13 muaj për të marrë një vendim përfundimtar.
Kompanitë kineze po luftojnë fort për të zgjeruar tregun jashtë kufijve të tyre, për shkak se konkurrenca e brendshme është rritur ndjeshëm në vitet e fundit.
Tensionet midis Kinës dhe BE-së janë rritur, pjesërisht për shkak të lidhjeve më të ngushta të Pekinit me Moskën pas agresionit rus të Ukrainës.
BE-ja po kërkon të zvogëlojë varësinë e saj nga nr.2 i botës në ekonomi.