Itali, 14 gusht 2014 – Deri vonë trendi i trafikut të makinave të vjedhura ka qenë vjedhja e tyre në vendet e Evropës perëndimore dhe sjellja e tyre në Shqipëri për t’u shitur me çmim të arsyeshëm. Tashme siç duket ky trend po ndryshon. Herë pas here organet ligjzbatuese të vendeve të Bashkimit Evropian, por jo vetëm, po kapin makina të vjedhura në Shqipëri dhe të “eksportuara” jashtë saj.

Policia spanjolle e enklavës afrikane të Melila-s bllokoi dy shtetas marokenë dhe një makinë Audi Q7 me vlerë rreth 70 000 euro. Marokenët sapo kishin zbritur nga trageti i kompanisw “Compania Acciona Sorolla”, i ardhur nga porti spanjoll i Malages. 

Roja Civile (policia) spanjolle dyshoi për makinën, sepse nga verifikimi me databazën e policisë rezultonte, që targat franceze të automjetit i përkisnin një makine tip Citroen, ndërsa mjeti, që po kontrollohej ishte tip Audi.

Nga verifikimi i numrit të shasisë së makinës rezultoi se ajo ishte e vjedhur në Shqipëri dhe i përkiste një politikani shqiptar. Lajmi disi i veçantë është bërë publik nga disa media spanjolle si ABC, Infomelilla, 20 minutos, El Semanal Digital, Europa press etj.

/gje. th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/