Cristiano Ronaldo hyn në historinë e Serisë A. Me golin e avantazhit të firmosur në stadiumin “Paolo Maca” kundër SPAL-it, portugezi ka festuar të 11-ën prezencë radhazi me gol në kampionat, duke barazuar kështu rekordin e Omar Gabriel Batistutës (sezoni 1994-1995 me Fiorentinën) dhe Fabio Kualjarelës (sezoni 2018-2019 me Sampdorian).

Por nëse marrim parasysh edhe ndeshjet e Kupës së Italisë, në çerekfinale me Romën dhe gjysmëfinalen e vajtjes me Milanin, në të cilat CR7 la gjithashtu shenjën e tij, atëherë prezencat me gol radhazi janë 13. Thjesht një makineri e lindur golash… Në të njëjtën kohë, Kristiano Ronaldo dje barazoi edhe rekordin e Manuel Rui Kostës, ish-fantazistit të Fiorentinës dhe Milanit, i cili me 42 golat e tij ishte portugezi që kishte shënuar më shumë në historinë e Serisë A. Për sa u përket 11 ndeshjeve radhazi me gol, Batistuta i ka realizuar duke luajtur radhazi, ndërsa si Kualjarela ashtu edhe Kristiano i kanë realizuar duke pushuar një ndeshje.

CR7 nuk u grumbullua për duelin e javës së kaluar, në “Allianz Stadium” kundër Breshas, ndërsa Kualjarela qëndronte 90 minuta në stol në transfertën e “Olimpikos” kundër Romës. Gjithsesi, ky është një detaj pa shumë rëndësi, sepse Ronaldo është zyrtarisht pjesë e Serisë A dhe të dielën e ardhshme në mbrëmje, përpara tifozërisë së tij, kundër Interit, mund të bëhet efektivisht rekordmeni absolut i këtij primati.

Dhe duke parë se përballë do të jenë zikaltrit, për portugezin nuk do të kishte shans më të bukur që të bëhej i vetmi që realizonte në 12 takime radhas. Interi dhe Konte janë të paralajmëruar, sepse kur mendon se vjet portugezi kishte shënuar 21 gola në total, këtë sezon ka edhe 13 ndeshje të tjera për t’i shtuar ndjeshëm shifrat personale.