Tiranë, 9 shtator 2014 – Avokati mbrojtes i Ardian Fullanit, Maks Haxhia, ka folur sot per arrestimin e klientit te tij de akuzat e ngritura ndaj ish-guvernatorit. Haxhia konfirmoi informacionet e dhena nga media ne lidhje me deklaraten e Fullanit dje ne gjyqin me dyer te mbyllura se ishte i habitur me arrestimin dhe se e kundershtonte akuzen.
“Komunikimi me z.Fullani është ai i djeshmi,mbasi Gjyakata vendosi që të lërë në fuqi, vendimin e saj, të marrjes së masës së arrestit me burg në mungesë, kërkuar nga organi i akuzës, po z.Fullani u akuzua me veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Kuptohet që, kushdo që ndodhet në atë situatë, nuk është situatë e pëlqyeshme; është një situatë nën stres dhe një situatë ku e sheh veten, pas një veprimtarie, kontributi në profesionin tënd, në detyra shtetërore mëse 30-vjeçare dhe përfundon një ditë si ajo e djeshmja, ku z.Fullani, Guvernator i Bankës së Shqipërisë, përfundon pas hekurave nën akuzën e shpërdorimit të detyrës”, tha Maks Haxhia ne studion e gazetares Ilva Tare.
Ilva Tare: Media ka raportuar se në komunikimin që ka pasur dje në Gjykatë, ka thënë se jam i habitur që ndodhem këtu. e konfirmoni këtë?
Maks Haxhia: Natyrisht që e konfirmoj, sepse z.Fullani, për mendimin tim kuptohet dhe me aq sa ne jemi njohur me materialin, nëpërmjet Gjykatës dhe jo nëpërmjet organit të akuzës, në të gjithë atë material ne konstatojmë se nuk ekzistojnë elementët e veprës penale, të asnjë lloj vepre penale dhe aq më pak të shpërdorimit të detyrës.
Ilva Tare: A ka pasur precedent në të kaluarën për raste të tilla, akuza për shpërdorim të detyrës, që të arrestohet zyrtari apo funksionari që është akuzuar?
Maks Haxhia: Unë mund të them vetëm kaq: Në referim të Kodit të Procedurës Penale, në të cilin radhiten një sërë masash të sigurimit personal, ndaluese dhe shtrënguese i themi ne, masa e arrestit me burg është masa më ekstreme. Në qoftë i ndajmë në përiqndje, janë shumë shumë të rralla ato raste kur Gjykata aplikon masën e arrestit me burg ndaj personave, të cilët akuzohen për këtë vepër penale. Aq më tepër për një person, siç është Guvernatori, duke e lidhur jo se është Guvernator, por duke e lidhur me largësinë që ka, si pozicion kulmor, me personin që ka pranuar – të paktën siç jemi njohur – vjedhjen e sasisë së parave dhe mekanizmin e kësaj vjedhjeje.
Ilva Tare: Ka gjithashtu një tjetër lajm, nëse mund të ma konfirmoni, që është marrë në pyetje edhe bashkëshortja e tij.
Maks Haxhia: Jo, absolutisht! S’ka përse!
Ilva Tare: Nuk keni dijeni për këtë! Nuk ka arsye pse të merret.
Maks Haxhia: Jo se s’kam dijeni, por në mënyrë absolute e kundërshtoj dhe ju siguroj se s’ka lidhje fare me procesin.
Ilva Tare: Po përsa i përket apelimit, që ju do t’i bëni masës së arrestit? E keni bërë?
Maks Haxhia: Po, sot e përfunduam dhe nesër do ta çojmë në Gjykatën e Shkallës së Parë, sepse ashtu është procedura dhe ajo e kalon në Gjykatën e Apelit, e cila, me t’u depozituar akti i apelit në Gjykatën e Apelit, në sekretari, brenda dhjetë ditëve do të shqyrtojë masën e sigurisë.
lva Tare: Pra, brenda 10 ditëve është afati për të marrë një përgjigje nëse do të kalojë në arrest shtëpie?
Maks Haxhia: Jo, do të kalojë në seancë për t’u shqyrtuar dhe marrë në konsideratë të gjitha pretendimet tona, të cilat nuk janë marrë në konsideratë në seancën e parë.
Ilva Tare: Nga eksperienca juaj dhe nga pretendimet që keni formuluar deri tani, mendoni që do të dalë në arrest shtëpie?
Maks Haxhia: Ne jemi në kuadrin e një misioni dhe natyrisht, edhe sikur të mos kisha bindjen, në mënyrën e etikës profesionale, do të thosha se janë në kushtet e personit që unë përfaqësoj në proces, se jam i bindur se do të ndryshohet dhe do të ndryshohet. Unë mund të sjell një sërë arsyesh. E para dhe më kryesorja është se masa e arrestit me burg është një masë ekstreme dhe kuptohet vetë edhe nga fjala “ekstreme”, aplikohet dhe duhet të aplikohet në raste ekstreme dhe për vepra ekstreme, që nënkupton vepra me rrezikshmëri të lartë, të theksuar shoqërore dhe që kryhen nga autorë me rrezikshmëri shoqërore të theksuar.
Në rastin konkret nuk kanë asnjë nga këto dy kushte; vepra është një shpërdorim detyre. Flasim për akuzën, që organi i hetimit ka ngritur ndaj z.Fullani dhe njëkohësisht, dihet tani çfarë rrezikshmërie shoqërore ka paraqitur z.Fullani, në ndryshimin e një harku njëditor.
Dihet që Guvernatori nuk paraqet asnjë rrezikshmëri shoqërorel përkundrazi, ai ka qënë gjithmonë në dispozicion të kësja çështjeje, shumë i shqetësuar. Ka qënë ndër të parët që ka bërë denoncimin e kësaj vepre. Aq më tepër që masa e arrestit me burg aplikohet për vepra penale të rënda, që është e lidhur me parashimin e marzhit të dënimit penal, vepra të tilla që parashikojnë një masë dënimi nga 5 në minimum e që shkojnë deri dënimin me burgimin e përjetshëm. Kurse, vepra konkrete është një vepër që dispozitivin e saj parashikohet deri në 7 vjet burgim.
Në referim të historikut të kësaj vepre, siç është vepra e shpërdorimit të detyrës, në sistemin që lamë pas, parashikon neni 106, ishte një shprehje që “shpërdorimi i detyrës” ishte një thes pa fund.
Ilva Tare: Linte vend për abuzim apo interpretime të ndryshme?
Maksim Haxhia: Po, mund të fusësh dhe të marrësh përgjegjësi penale – është tjetër gjë sesa do të konkludosh në realizimin me sukses të akuzës dhe të një procesi për ta finalizuar me një vendim fajësie – është një proces dhe një vepër që dashur pa dashur fut këdo dhe merr këdo në përgjegjësi penale, sepse është një moment delikat, që do të ndash me shumë kujdes si profesionist, momentin e shkeljes administrative me shkeljen penale. Kurse sot kam frikë se po kthehet nga “thes pa fund” në një “fund pa thes”.
Ilva Tare: Çfarë e ndan shkeljen administrative nga ajo penale?
Maks Haxhia: Shkelje administrative janë ato shkelje që kanë të bëjnë me zbatimin e rregullave në menaxhimin e përditshëm, qoftë që ti mund t’i realizosh nga paaftësia, nga mungesa e vëmendjes apo neglizhenca, por asnjëhërë me dashje dhe me paramendim, duke ditur që ti si person në detyrë realizon një veprimtari të tillë me dashje apo me paramendim nga e cila duhet të parashikosh dhe pasojat që vijnë.
Ilva Tare: Ka një tjetër pretendim, një hamendësim, ndoshta kjo ka qënë vetëm akuza fillestare e Prokurorisë dhe ata po përgatiten, që kanë të bëjnë me faktin se janë lënë, se ka pasur neglizhencë në funksionimin dhe mbarëvajtjen e punës në Bankë për qëllim përfitimi apo dhe vjedhjeje.
Maks Haxhia: Unë flas me atë situatë dokumentare, që na është bërë prezent dhe jo nga organi i hetimit, sepse ende nuk kemi marrë kontakt me organin e hetimit, por nga Gjykata, me një nivel empirik lidhur me pretendimet, që me shumicën e tyre jam njohur nëpërmjet medias, këto 5 pikat e famshme. Por mund të them një gjë: Unë e kuptoj rëndësinë e kësaj çështjeje, e kuptoj shqetësimin e madh ndërpopullor, ndërshqiptar, social, politik, teknik në gjithë sistemin financiar, por mendoj që ka qënë një veprim i shpejtuar nga ana e akuzës dhe nga Gjykata, që kanë konkluduar me marrjen e kësaj mase.
Ilva Tare: A mund ta kishte shmangur këtë arrestim, një dorëheqje e mundshme e Guvernatorit?
Maks Haxhia: Unë e thashë, se e kam ndjekur me shumë vëmendje si qytetar në radhë të parë dhe si intelektual, gjatë kohës që isha me pushime, këtë fenomen, këtë ngjarje që ishte vërtet e rëndë, dhe me thënë të drejtën bashkohem me të gjithë shqetësimin, por duhet të kemi kujdes të mos biem në një situatë shumë të rëndë për drejtësinë. Se atë drejtësi që ne sot kemi, e kemi akuzuar aq shumë sa e kemi bërë të rraskapitur, me korrupsionin, me paaftësinë, me ndërhyrjet, me klanet, me miqësitë.
Po kështu, është fakt që drejtësia shqiptare është në një presion të jashtëzakonshëm të politikës, edhe për fajin e vet, sepse vetë politika e zgjodhi këtë drejtësi dhe do ta mabjë edhe këtë kosto. Unë jam dakord që opinioni dhe shoqëria civile ka rol të jashtëzakonshëm, por duhet të kemi kujdes të mos ndikojmë në vendimarrjen e Gjykatës.
Gjykata duhet lënë e qetë dhe të jetë shumë e ftohtë, shumë “cool” në vendimarrjen e saj. Aq më tepër tani, sidomos tani. Unë jam shumë sensibël dhe ftoj të gjithë sipërmarrësit dhe aktorët e shoqërisë sonë shqiptare ta lënë drejtësinë të punojë, sepse tani e ka në dorë drejtësia dhe kur flet drejtësia, të gjithë duhet të heshtim.





