30 tetor 2015 – Shërbimi i transportit në linjat urbane të qytetit të Durrësit, Durrës-Plazh, Durrës-Currila, Durrës-Unazë e Plazhit, Durrës-Universitet, Durrës-Porto-Romano dhe Durrës-Shkozet, janë privatizuar të gjitha. Privatizimi pritej të sillte rritje të shërbimit për nxënësit e shkollave dhe qytetarët, por çdo fund muaji, qytetarët e të gjitha moshave kalojnë orë e orë të tëra për të siguruar një abone udhëtimi. Madje radhët nisin që në orën 02:00 të mëngjesit, ndërsa aty presin burra, gra, gjimnazistë, studentë e të gjithë ata që kanë nevojë për një abone.
“Abonetë po shiten nën dorë. Kush ka mik e siguron një tillë, kam që në orën 02:00 të mëngjesit”, thotë një banor i Durrësit.
“Zura radhë, por mu bllokua fryma. Turma më mori me vete dhe nuk mund të prisja një abone. Këtu hyjnë ata që kanë miq dhe sigurojnë një abone”, thotë një gjimnaziste.
“Korrupsioni këto ka, mungesa e shërbimit për qytetarët është evidente, bashkia duhet t’i shikojë problemet e qytetarëve, sepse nxënësit e studentët duhet të pajisen me abone. Nuk kanë mundësi familjet të shpenzojnë para për bileta autobusi dhe abonetë të shiten nën dorë”, është apeli i shumë qytetarëve.
/K.H. portali DurresLajm/