Kryetari i bashkisë së Durrësit duhet t’u tërheqë “veshët” drejtuesve të punimeve në rrugën e plazhit.

Kjo për faktin se kur duhet vetëm një javë nga nisja e muajit maj, që shënon hapjen e sezonit veror në Durrës, punimet në këtë zonë janë duke u zhvilluar me ritme shumë të ngadalta.

Për çdo vonesë dhe pakënaqësi që kanë, banorët e zonës së plazhit, por edhe drejtuesit e makinave që përballen me trafik të rënduar, gropa të hapura dhe punime që kryhen përgjatë gjithë gjatësisë së rrugës “Pavarësia”, fajësojnë të parin kreun e bashkisë dhe jo firmën zbatuese që kryen punimet.

Aktualisht rruga e plazhit është për “faqe të zezë”, dhe kjo jo vetëm nga gropat, pengesat nga mbyllja e një drejtimi në disa segmente të saj, por edhe nga pluhuri, balta dhe trotuaret që janë në disa pjesë tërësisht të pakalueshme për këmbësorët.

Rruga është gunga-gunga dhe me gropa, ndërsa nuk janë shtruar në një pjesë të mirë pllakat e trotuareve.

Në një situatë si kjo, kur akoma nuk është asfaltuar rruga, ku nuk është hedhur asfalti për ta bërë të kalueshme, çdo banor apo çdo turist që kalon aty, qoftë edhe tranzit, fajëson kreun e bashkisë për një situatë të tillë. 

K.H.