Makthi merr fund për peshëngritësin Daniel Godelli. 32-vjeçari njoftoi sot se ka fituar betejën ligjore në lidhje me akuzat për doping.

Në përfundim të Kampionatit Europian të Armenisë në prill të vitit 2023, Godelli rezultoi pozitiv pas testeve dhe u pezullua nga të gjitha garat.

Por koha i dha të drejt peshëngritësit peqinas, pasi substanca e ndaluar Ostarinë, e gjurmuar në trupin e tij, kishte ardhur nga një suplement ushqimor.

Agjencia Ndërkombëtare e Testimit nëpërmjet një e-mail-i, bën të ditur sportisti se ai është i pafajshëm.

“Sot, në mëngjes, mora një email që po e prisja që në shtator 2023 nga Agjencia Ndërkombëtare e Testimit. Email-i i sotëm faktoi që substanca e gjetur në trupin tim “Ostarinë” ishte një substancë e ardhur aty nga një suplement ushqimor, i cili rezultoi nga analizat në laboratorët e Agjencisë Anti-Doping, si suplemente i kontaminuar”, njoftoi Godelli.

Pershëngritësi sqaron në komunikatën për mediat, se suplementi ushqimor që ai kishte përdorur, në listën e përbërësve të tij tregonte vetëm vitaminat/aminoacidet/suplementet ushqimore të lejueshme për të ndihmuar trupin të rigjenerohet dhe përballojë ngarkesën stërvitore.

“Në email-in e sotëm vërtetohet nga shkencëtarë të Agjencisë Botërore Anti-Doping se suplementi numër 3 është i kontaminuar (dmth përmban diçka tjetër në përbërjen e tij e cila nuk është e deklaruar publikisht dhe ajo ishte pikërisht produkti i ndaluar Ostarinë në masën 3.5 ng për kapsulë. Gjë të cilën unë nuk kisha nga ta dija pasi, fatkeqësisht, nuk zotëroj një laborator milonadollarësh sikurse Wada. Edhe një herë faleminderit për kohën tuaj”, mbyllet reagimi i Godellit.