TIRANE, 9 maj 2013-  Deputeti Arben Malaj, pak orë përpara nisjes së seancës së Kuvendit ka bërë apel publik, përmes rrjetit social “Facebook”, për miratimin e 3 ligjeve të konsideruara si çelës për marrjen e statusit kandidat.

Sipas Malaj, “do të jetë dinjitoze që ky parlament të mos mbyllet pa i miratuar tre ligjet”. 

“Si deputet i vendit tim sërish drejtohem me një apel publik që pikërisht sot në ditën e Europës së paqes dhe prosperitetit, të arrihet një konsensus për t’i votuar ligjet. Të veprojmë në bazë të detyrimit për të ardhmen europiane të të gjithë shqiptarëve. Të veprojmë me vizionin dhe përgjegjësinë ndaj të ardhmes dhe jo me inate personale apo interesa elektorale.”- shkruan Malaj në “Facebook”.  

Deputeti Malaj tha se mbështet propozimin e përsëritur të LSI-së për miratimin e ligjeve dhe sipas tij, votimi i tyre do të ishte mënyra më e mirë për të shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA dhe BE i kanë dhënë Shqipërisë. 

“T’a arrijmë sot këtë konsensus, sot në këtë ditë simbolike. T’a votojmë me vullnet të plotë dhe përgjegjësi të qartë për të ardhmen tonë. Do të jetë mënyra më drejtpërdrejtë, më e plotë edhe për një mirënjohje ndaj SHBA dhe BE që po e mbështesin Shqipërinë dhe Ballkanin drejt të ardhmes euro-atlantike.”- përfundon Malaj.