Ministri i Financave, Petrit Malaj, zhvilloi një takim zyrtar me Ministrin e Deleguar për Tregtinë e Jashtme dhe Atraktivitetin Ekonomik të qeverisë së Francës, Nicolas Forissier, dhe delegacionin që e shoqëronte atë. Gjatë këtij takimi, palët diskutuan mbi ecurinë e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe forcimit të mëtejshëm të tij në të ardhmen, me fokus në integrimin evropian, zhvillimin e qëndrueshëm dhe nxitjen e investimeve dypalëshe.

Malaj vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme që qeveria franceze ka dhënë për vendin tonë, reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe vuri theksin në potencialin e madh që ekziston për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve. Ai ftoi investitorët francezë të rrisin prezencën e tyre në Shqipëri duke investuar në sektorë prioritarë të ekonomisë, si turizmi, bujqësia, infrastruktura apo dixhitalizimi.

Një vend të veçantë në diskutime gjatë takimit iu kushtua dhe rolit që luan Agjencia Franceze për Zhvillim (ADF) në zhvillimin ekonomik të vendit tonë, përmes projekteve në fusha të ndryshme.

Që nga viti 2021, AFD ka angazhuar 330 milionë euro, nga të cilat 270 milionë euro në mbështetje buxhetore përmes kredive të bazuara në politika në sektorët e energjisë, zhvillimit të gjelbër dhe politikave gjinore, si dhe 60 milionë euro për investime në infrastrukturë.

Pesë marrëveshjet e nënshkruara me AFD janë hua sovrane, tre nga të cilat janë disbursuar plotësisht, ndërsa dy të tjera janë aktualisht në proces disbursimi.