NORVEGJI – Anëtarët e parlamentit norvegjez, që i përkasin partisë laburiste, e cila qeveris vendin, kanë paraqitur zyrtarisht kandidaturën e Malala Yousufzai, aktivistes së re pakistaneze për të drejtat e njeriut, si kandidate për çmimin Nobel për paqen. Vajza 15 vjeçare u plagos rëndë në kokë në muajin tetor nga talebanët. Lajmi konfirmohet nga agjensia e lajmeve pakistaneze APP.

Në faqen në internet të partisë laburiste norvegjeze theksohet se motivacioni për dhënien e titullit Malalës është "për betejën e saj kurajoze për të drejtat e të rinjve për arsimim; impenjimi i saj iu duk kaq kërcënues forcave ekstreme, saqë tentuan ta vrisnin”.

Më poshtë parlamentarët norvegjezë theksojnë se "ajo përfaqëson brezin e ri që përdor mediat sociale për të qarkulluar në botë mesazhin e saj mbi të drejtat e të rinjve dhe nevojën që të ekzistojnë mundësi të njëjta mes sekseve”.

15 vjeçarja pakistaneze qëndron e shtruar prej disa muajsh në një spital në Birmingam dhe pas një jave do t’i nënshtrohet një tjetër ndërhyrjeje kirurgjikale për të sistemuar kafkën.