Viktor Canosinaj, autori i dhjetëra titujve për fëmijë dhe të rritur, ishte i pranishëm javën e kaluar në Durrës për të promovuar romanin e tij më të fundit, “Mallkimi i grave”. Në një aktivitet të organizuar nga Biblioteka Publike e qytetit e ku merrnin pjesë miq e dashamirës të librit, punonjës të bibliotekës si dhe studiuesi Gjergj Vlashi dhe fabulisti Ferit Lamaj mbajtën një sërë kumtesash në të cilat analizuan aspekte të veçanta gjuhësore, stilistikore e tematike të romanit të Canosinajt.
Duke i vendosur ngjarjet në një sfond historik, në vitin 1852, vit kur Ali Pashë Tepelena rrethoi dhe kreu masakër në Kardhiq, autori Kanosinaj përmes fiction jep këndvështrimin e tij mbi atë ngjarje dhe personazhet e asaj kohe. Historia dhe figura e Ali Pashë Tepelenës është mjaft e njohur për shqiptarët dhe në kohë të ndryshme ka nxitur jo pak studiues dhe shkrimtarë të shkruajnë për këtë figurë kontroverse. Ndërkohë Kanosinaj, në veprën e tij, e ka lënë Ali Pashën thuajse në dritë hije, në një rol dytësor.
Për të flasin më shumë personazhet e tjera të veprës. Pse pati aq shumë mizori dhe dhunë në kohën e mbretërimit të familjes së Ali Pashës, ç’ndodhte brenda vetë familjes Tepelena? Janë këto disa nga pyetjet që shkrimtari Canosinaj përpiqet t’u japë përgjigje përmes romanit të tij, ku personazhe kryesore janë nëna dhe motra e Ali Pashës. Pikërisht këto dy gra, Hankoja dhe Shanishaja, u rrëmbyen dhe u mbajtën peng në Kardhiq për rreth një muaj duke shkelur kodin shqiptar të sjelljes ndaj grave, dhe nga kjo pengmarrja do të niste më pas hakmarrja e Ali Pashës ndaj Kardhiqit.
Autori Viktor Canosinaj njihet për krijimtarinë e tij të pasur, e cila nis që në vitet ’70, kur ai nisi të botonte poezitë e tij të para. Në fondin libror të bibliotekës së Durrësit numërohen më shumë se 60 tituj të shkrimtarit, duke e bërë atë një ndër autorët më prodhimtarë të vendit tonë. Canosinaj mbetet ndër shkrimtarët më të preferuar të fëmijëve, pasi pjesa më e madhe e veprave të tij i kushtohet sidomos kësaj grupmoshe
Përmes ngjarjeve të rrëfyera në roman dhe dialogut mes personazheve Canosinaj nxjerr në pah shpirtin mizor të nënës së Ali Pashës, e etiketuar edhe më parë nga studiuesit si nxitësja kryesore për mizoritë e shumta, që i vishen Pashait të Janinës. Duke u ndalur në romanin e Canosinajt, punonjësi i bibliotekës Enton Bido u ndal tek ajo që ai e quajti realizëm fantastik, e që fabulisti Ferit Lamaj e krahasoi me realizmin magjik të romancierëve të Amerikës Latine.
Kumtuesit nënvizuan faktin se gjuha e përdorur nga Canosinaj në këtë roman është mjaft e larmishme, shumë goditëse dhe shprehëse. Ndërkohë vetë autori duke u ndalur në këtë aspekt tha se shkrimi i këtij libri i kishte marrë shumë kohë, sidomos përsa i përket aspektit gjuhësor, pasi në të janë përfshirë fjalë nga dialekti i Çamërisë, Labërisë, ai i viseve veriore të Shqipërisë si dhe fjalë nga gjuha turke. E gjithë kjo sipas Canosinaj e bën për lexuesin edhe më të prekshëm realitetin e asaj kohe, pasi duke depërtuar në teknikat e të folurit dhe dialekteve të përdorura vendoset një kontakt edhe më i afërt mes lexuesve dhe ngjarjeve e personazheve historike që trajtohen në libër.
Në të njëjtën kohë një tjetër vështirësi për autorin ka përbërë edhe sfondi historik, pasi ngjarjet në roman zhvillohen 200 vjet më parë, në një realitet shumë të ndryshëm nga ky i ditëve tona. Gjatë fjalës së tij Canosinaj
Autori Viktor Canosinaj njihet për krijimtarinë e tij të pasur e cila filloi që në vitet ’70, kur ai nisi të botonte poezitë e tij të para. Në fondin libror të bibliotekës së Durrësit numërohen më shumë se 60 tituj të shkrimtarit, duke e bërë atë një ndër autorët më prodhimtarë të vendit tonë. Canosinaj mbetet ndër shkrimtarët më të preferuar të fëmijëve, pasi pjesa më e madhe e veprave të tij i kushtohet sidomos kësaj grupmoshe.
Një fakt i tillë u nënvizua edhe nga mësueset e letërsisë së shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të qytetit, të cilat theksuan gjatë fjalës së tyre se librat e Canosinajt janë më të preferuarit nga nxënësit për bisedat letrare. Shumë breza janë rritur duke lexuar librat e tij për fëmijë, por gjithsesi kjo nuk e ka penguar autorin që të shkruajë edhe për të rriturit.
Megjithëse duket një mision i vështirë të shkruash për dy grupmosha me pritshmëri të ndryshme përsa i përket fushës letrare, Canosinaj ka arritur t’ia dalë mbanë në këtë sipërmarrje të tij. Gjatë fjalës së tij autori iu përgjigj disa pyetjeve të bëra nga publiku në sallë, si dhe nuk harroi të përmendte faktin se promovimi i librave të tij në Durrës ka disa veçanti nga ato të bëra në qytete të tjera, kjo dhe për faktin se lidhja e tij shpirtërore me qytetin bregdetar është e fortë, pasi në Durrës ai kaloi vitet e fëmijërisë dhe rinisë.
Viktor Canosinaj lindi në vitin 1960 në Vlorë. Pas studimeve universitare në Gjuhë – Letërsi, punoi mësues letërsie, gazetar dhe përkthyes. Në fillim të viteve ‘80 botoi librin e tij të parë për fëmijë, ndërsa botimi i tij i parë për të rritur është në vitin 1989 me anë të cilit fitoi edhe një çmim kombëtar. Shkrimtari Viktor Canosinaj është gjithashtu edhe autor i romaneve “Jetë të marra peng”, “Një copë tokë nën qiell”, “Fronti kaloi mbi çatitë tona”, “Pianistja Belge”, “Katër yje në qytet”, “Vite Blu”, “Dashuri në ikje” etj.