21 shtator 2015 – Një vajzë 6-vjeçare po prek zemrat e miliona njerëzve në mbarë botën, pas publikimit të një videoje nga mamaja e saj, ku ajo u lutet prindërve të jenë miq edhe pas divorcit.

Tiana, vogëlushja nga Kanadaja, i lutet së ëmës, Sherry-t, të shkojë mirë me babanë edhe pse janë ndarë. Sipas nënës së vajzës, videoja është xhiruar pas një debati që ajo ka pasur me ish-bashkëshortin, ku ka qenë e pranishme edhe Tiana.

“Të lutem provoje një herë. Nuk dua që ju të ziheni, dua të jeni miq.

Unë dua që të gjithë të jemi miq me njëri-tjetrin. Mendoj se të gjithë mundemi të jemi njerëz të mirë. Po përpiqem me gjithë zemër të bëj diçka. Dua që mami, babi dhe gjithë njerëzit të jenë shokë me njëri-tjetrin. Dua t’i shoh të gjithë të buzëqeshur”, thotë vogëlushja e zgjuar në video, që i ka habitur të gjithë me pjekurinë e saj.

Videoja e Tianës është postuar në “Facebook” nga e ëma dhe deri më tani është klikuar mbi 9 milionë herë.

/S.L. portali DurresLajm/